Abazi e bën fajtor Thaçin për gjendjen e krijuar me partnerin e koalicionit, LDK-në

E publikuar: 18/03/2020 23:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, nga LVV, ka thënë se fajtor për situatën e krijuar, pas vendimit të LDK-së për inicimin e mocionit të votëbesimit për Qeverinë Kurti, është presidenti Thaçi, i cili kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Abazi ka arsyetuar vendimin e kryeministrit Kurti, për shkarkimin e ministrit Veliu, duke thënë se ministri ka dalë kundër qëndrimeve të kryeministrit të vendit.

Ai theksoi se deklarata e Veliut për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, përbën kundërshtim me linjën e veprimit të qeverisë.

“Është shumë e rëndësishme që të mos hapet panik tek qytetarët me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme… Çfarë është analizuar në hollësi është se Kosovës nuk i duhet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe interferim me planin në veprim për koronavirusin”, tha Abazi, në Klan Kosova.

Ai tha se nëse shkon mocioni për rrëzimin e Qeverisë në Kuvend ky do të jetë plotësim i kërkesave të presidentit Thaçi.

Abazi tha se mbetet të shihet se si do të sillen rrethanat në kuvend, por tha se shpreson se do të mbizotërojë arsyeja te deputetët. /Telegrafi/