Abazi: Bedri Hamza lexon komunikata, të cilave nuk u beson as vet

E publikuar: 28/01/2020 19:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Grupit parlamentar i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha sot se LVV duhet të distancohet nga organizata terroriste ‘Syri i Popullit’, në të kundërtën legjitimon të gjitha aktivitetet e kësaj organizate.

Abazi, përmes një postimi në Facebook, tha se “më vjen keq për nivelin e ulët ku bie Bedri Hamza duke lexuar komunikata të cilave as vetë nuk iu beson”.

Postimi i plotë i Abazit:

“Partia e SHIK-ut dhe PRONTO Mafia e Kadri Veselit të akuzuar për vrasjet politike në Kosovë dhe me dëshmi nga Bllaca dhe të tjerët ish anëtarë të SHIK kanë filluar jetën opozitare me nervozizëm dhe shkrepje kot. Me vjen keq për nivelin e ulët ku bie Bedri Hamza duke lexuar komunikata të cilave as vetë nuk ju beson.

Ndoshta do të ishte me e shëndetshme sikur Bedri Hamza të përgjigjej se në dorë të kujt i kanë lënë fondet e BQK, Trustit Pensional dhe Fondin e Privatizimit”, ka shkruar Abazi, përcjell Telegrafi.

Shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një konferencë për media tha sot se lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga organizata terroriste ‘Syri i Popullit’, në të kundërtën legjitimon të gjitha aktivitetet e kësaj organizate.
Hamza tha se akoma më alarmante është mosdeklarimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili sipas tij, është njëri nga ideologët e kësaj organizate. “Kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.