AAK: Prokuroria të hetojë keqmenaxhimin dhe shkeljet e mëdha në MPB

E publikuar: 24/06/2016 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për keq-qeverisje dhe shkeljet e ligjeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2015.

Në një njoftim për media, nga Zyra e AAK-së thonë se sipas Raportit të Auditorit të Përgjithshëm, MPB-ja po vazhdon me shkelje të mëdha të procedurave dhe rregullave të qeverisjes së mirë. Po ashtu, nuk ka zbatuar rekomandimet e Auditorit që janë dhënë një vit më herët.

Sipas tyre, për të gjitha këto shkelje dhe këtë nivel të lartë të keqmenaxhimit në qeverisje, financa dhe prokurorim, Prokuroria e Shtetit duhet që të ndërmerr menjëherë veprimet e saj ligjore dhe Kushtetuese për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij degradimi në MPB.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë radhitur siç thonë, dështimet e MPB-së, që janë evidentuar nga Auditori i Përgjithshëm/

Mosmenaxhimin efektiv të Ministrisë – “Adresimi i rekomandimeve nuk ishte i kënaqshëm. Nga 11 rekomandimet e dhëna vetëm tri prej tyre janë implementuar plotësisht”.(fq. 10),Mungesën e llogaridhënies – “Ende nuk kanë krijuar procedura formale dhe të dokumentuara të identifikimit dhe menaxhimit të rreziqeve që identifikon pengesat e mundshme krahas përmbushjes së objektivave. Kjo reflekton mungesë të llogaridhënies tek menaxhmenti i lartë lidhur me menaxhimin e regjistrit të rreziqeve si dhe një mungesë njohurie brenda agjencive dhe departamenteve për rolet e tyre në ofrimin e mbështetjes për procesin e menaxhimit të rrezikut” (fq. 12),

Keqmenaxhimin financiar – “Menaxhimi i pagave nuk ishte bërë në përputhje më Legjislacionin. Një numër i konsiderueshëm i pozitave menaxhohen përmes ushtruesve të detyrave. Pesë të punësuar ishin paguar më kontrata për shërbime të veçanta nga mallrat dhe shërbimet. Vlerësimi i performancës së stafit edhe në vitin 2015 nuk ishte bërë. Kjo shkakton mos identifikimin e fushave të cilat kërkojnë përmirësime të mëtejme (f q. 14)”,

Shkeljet në Prokurim – Nga 41 pagesa/mostra të testuara, në 11 pagesa (tre në MPB, dy në IPK, tre në PK dhe tre në ASPK) kemi hasur në urdhër blerje të cilat janë procesuar pas pranimit të faturës. Zyrtarët e financave, gjatë procesimit të lëndëve për pagesë, kanë dështuar të ndjekin të gjithë hapat e përcaktuara më rregulla të thesarit. Në anën tjetër zyrtaret çertifikues nuk kanë arritur të parandalojnë këtë dukuri. (fq. 18)

Vonesat në realizimin e projekteve – “Si pasojë e mos identifikimit të rreziqeve me kohë, realizimi i projekteve kapitale po përcillet me vonesa të njëjta vit pas viti” (fq. 18).

Shkeljet ligjore me Pozitat me Ushtrues Detyre–“Neni 30 pika 4 i Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës thekson se në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, Ushtruesi i Detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj. Ndërsa, Neni 39 i Udhë zimit administrativ nr. 07/2012 mbi marrëdhënien e punës në PK e përcakton periudhën kohore ku UD mund të caktohet, në kohëzgjatje deri në gjashtë muaj me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj tjerë. Në MPB edhe më tej vazhdojnë të mbulohen 19 pozita me UD, ndërsa PK në fund të vitit ishin 24 pozita.

Praktika e mbulimit për një kohë të gjatë të pozitave kyçe me UD rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme. Më tej pagesat të cilat nuk janë në pajtim më Legjislacionin mund të konsiderohen të parregullta”. (fq. 23-24)

Pagesa e pagës në kundërshtim me vendimin e Qeverisë – Për njërin nga ish Zëvendës Ministrat e MPB-së ne kemi vërejtur se kishte pranuar edhe pagesën nga Zyra e Kuvendit Komunal – Gjilan për kohën e njëjtë kur ka marrë pagesë nga MPB-ja bazuar në vendimin e Qeverisë.