AAK mohon se ka marrëveshje paraprake për koalicion me PDK-në

E publikuar: 22/04/2017 11:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mohon zërat se ky subjekt ka një marrëveshje me PDK’në për një koalicion paraprak.
Nënkryetari i AAK’së Gazmend Abrashi thotë se Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk i duhet koalicion paraprak me partitë në pushtet, pasi që sipas tij, çdo ditë e më shumë po gjënë mbështetje nga qytetarët e vendit, të cilët janë të bindur se qëndrimet politike të AAK-së si një opozitë e fortë, janë në përputhje të vazhdueshme me interesat e vendit.

“Energjitë tona, puna jonë, angazhimi dhe vizioni ynë është në funksion të rritjes dhe fuqizimit të AAK-së. Orientimi ynë politik asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të matematikave që dëmtojnë të ardhmen e vendit dhe shkojnë në shërbim të interesave të ngushta partiake për pushtet. Ne synojmë të qeverisim me Kosovën, bazuar në një mentalitet të ri udhëheqës i cili buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës për ndryshim.

Përtej çdo lloj sondazhi dhe vlerësimit të analistëve, gjendja në terren dëshmon për një rritje drastike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Tash kur vërehet kjo rritje e AAK-së, dalin zëra të qëllimshëm kinse ne kemi arritur marrëveshje paraprake për koalicion me PDK-në . Kjo bëhet për ta zbehur rritjen tonë në terren. E vërteta është se ne kemi koalicion parazgjedhor vetëm me NISMA-n dhe se gjithçka që flitet përtej kësaj është e pa qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e tij.

Abrashi thotë se ata hyjnë në këto zgjedhje që të dalim të parët. Pra sipas tij, vetëm në këtë rast do të vendosin se më kë do të bëjnë koalicion, duke u bazuar në përputhshmëritë programore dhe objektivat e përbashkëta për zhvillimin e vendit.

“Qytetarët e Kosovës sot nuk mund të manipulohen nga askush, as nga shpifjet e as nga konspiracionet e orkestruara. Ne e kemi dëshmuar se jemi të pathyeshëm, sa herë që është në pyetje interesi i vendit, andaj qytetarët e kanë kuptuar se një fitore e jona në radhë të parë do t’i shërbej interesit për fuqizimin e shtetit tonë, të cilin në masë të madhe po e rrezikon koalicioni qeverisës me marrëveshje të dëmshme, me veprime dhe mosveprime”, përfundon ai.