AAK-ja kundër që Ushtria, Demarkacioni dhe Asociacioni të votohen në pako

E publikuar: 25/03/2017 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Palë Lekaj, i ka quajtur të papranueshme dhe të jashtëligjshme propozimin se transformimi i FSK-së mund të futet në një pako me Demarkacionin dhe Asociacionin.

Ai ka thënë se është kundër këtij propozimi dhe e vetmja zgjidhje sipas tij janë zgjedhjet.

“Qeveria e Kosovës nuk ka mandat që për çështjen e Ushtrisë të bëjë koncesione me Listën Serbe. Futja e tyre në një pako apo ujdia me Listën Serbe për t’i kaluar këto tri tema për AAK-në janë të papranueshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka qëndrimin e saj për këto tri tema”, ka thënë Lekaj.

“Ushtria duhet të bëhet sa me shpejt qe është e mundur dhe për këtë Grupi Parlamentar i Aleancës e ka dhënë mbështetjen e kontributin e saj nëpërmjet deputetit Daut Haradinaj si kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme. Marrëveshja për demarkacionin duhet të kthehet në pikën zero dhe t’i hapet rrugë negocimit të një marrëveshje të re nga një komision i papolitizuar me ekspertet më të mirë të vendit. Për Asociacionin e ka thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar ai.

Kjo Qeveri, sipas Lekajt, e cila në Kuvend ka mbi 80 deputetë është treguar e pafuqishme për të çuar proceset e mëdha përpara, sepse këtyre më së shumti ju ka interesuar rehatimi i familjarëve dhe pasurimi i fëmijëve të tyre.

Vendi, dita ditës po rrëshqet në krizë dhe qytetarët po ballafaqohen me probleme të mëdha. Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Qytetarët janë sovrani dhe ata do të vendosin në pajtim me vullnetin e tyre”, ka theksuar ai.

“Edhe pse ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po përballet më një padrejtësi të madhe, ai ka kërkuar qe edhe në mungesë të tij vendi të shkojë në zgjedhje. Më këtë ai edhe njëherë po dëshmon se interesin shtetëror e vendos para atij personal”.