AAK dhe Nisma, pa qëndrime konkrete për 1 shtator

E publikuar: 23/08/2016 13:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën ende nuk e dinë se çka do të bëjnë ditën kur parashihet që në Kuvendin e Kosovës të votohet demarkacioni me Malin e Zi

Krejt çka dihet deri më tani për dy partitë opozitare që janë bashkuar në një koalicion është vota kundër demarkacionit dhe mos pjesëmarrja në protesta.

Muharrem Nitaj nga AAK dhe Valdete Bajrami nga Nisma kanë bërë të ditur se ata do të marrin pjesë në seancën e 1 shtatorit dhe se vota e tyre do të jetë kundër. Por kanë hedhur poshtë mundësinë e protestës ashtu siç është paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i AAK-së tha për KosovaPress se partia e Ramush Haradinajt do të përdorë të gjitha mundësitë e saj që të parandalojë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Me këtë ai ka nënkuptuar se do të punojnë që të ndikojnë tek deputetët e pozitës që mos ta votojnë demarkacionin. Nitaj ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në protesta të kësaj partie duke shtuar se ka kaluar koha që kjo çështje të trajtohet në rrugë.

Ndërsa deputetja nga Nisma Valdete Bajrami , tha se ende nuk kanë vendosur për veprimet që do deputetët e kësaj partie do të ndërmarrin më 1 shtator.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë ditën kur në Kuvend pritet të votohet demarkacioni me Malin e Zi.

Partia e Visar Ymerit së bashku me AAK-në dhe Nismën para një viti ishin bashkuar në një bllok opozitar kundër Qeverisë PDK-LDK. Opozita ishte bashkuar me qëllim që të pengonin dy marrëveshjet atë për Demarkacionin dhe Asosacionin e Komunave Serbe. Ky bashkim opozitar nuk vazhdoi gjatë pasi që blloku u ça pasi që liderët e partive nuk mundën të gjejnë kompromis mes vete. Tash AAK dhe Nisma kanë formuar një koalicion opozitar ndërsa VV vepron e vetme.