AAK akuzon LDK-në për ndryshim të marrëveshjes, kërcënon me kthim të çdo gjëje në zero

E publikuar: 28/02/2018 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmëri të Kosovës ka dërguar një kumtesë për medie me të cilën e ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës ta ketë ndryshuar tekstin e marrëveshjes ndërmjet partive të PAN-it në pushtet dhe LDK-së në opozitë.

Sipas kumtese së AAK-së, ndryshimi është bërë sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, që kryesohet nga LDK-ja.

Me këtë ndryshim, thotë kumtesa, do të rrezikohet e gjitha ajo që është arritur me shumë mund për të ardhur deri në këtë pikë.

Ky është teksti i kumtesës:

Kryeministri Haradinaj, Kryetari i Kuvendit Veseli, Shefi i GP Abdullah Hoti, Kryetari Nisma-s Limaj dhe ai i AKR-së Pacolli, kanë arritur marrëveshjen e mësipërme për Demarkacionin!

Ndërkohë teksti i kësaj marrëveshjeje është ndryshuar në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit, që kryesohet nga LDK-ja, duke e rrezikuar kështu gjithë atë që është arritur me shumë mund për të ardhur deri në këtë pikë.

Nê tekstin që ka dalë nga ky Komision, jo vetëm që është ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jashtë Pjesës përbërëse të këtij ligji!

Është e papranueshme nëse dikush në këtë fazë, me ose pa vetëdije, e rrezikon votimin e një marrëveshjeje të dakorduar.

Prandaj, ky është alarm për të gjithë protagonistët e kësaj marrëveshjeje, që të mos bëjnë kalkulime politike, por t’i përmbahen pikë për pikë asaj! Në të kundërtën rrezikohet që gjithçka të kthehet në pikën ZERO!