AAK: Akciza për karburantet vendim skandaloz i Qeverisë

E publikuar: 30/09/2015 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar si vendim skandaloz vendimin e Qeverisë për rritjen e akcizë së naftës për 15 cent.

AAK përmes një njoftimi për media ka theksuar se vendimi i Qeverisë për vendosjen e normës së akcizes për “gazet e naftës dhe hidrokarbure tjera gazoike” në vlerë prej 0,15 EUR/liter, nënkupton ngritje të normës se akcizës për 50 përqind.

“Kjo rritje e cila nuk është paraparë me buxhetin e Kosovës për vitin 2015 tregon se Qeveria e Kosovës ka dështuar plotësisht edhe në planin ekonomik edhe buxhetor dhe tani merr vendime të paparashikuara e të cilat e dëmtojnë rëndë qytetarin dhe bizneset në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e cila i ka rritur shpenzimet e veta për t’i kënaqur ambiciet politike të aparatçikëve partiakë, në masë te paparë deri me tani, po vazhdon ta ngarkojë jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë”, thuhet në njoftim.

AAK më tej ka theksuar se kjo rritje bëhet në kurriz të qytetarëve dhe biznesit me qëllim të mbulimit të humbjeve buxhetore që po bëhen për shkak të keqqeverisjes dhe abuzimit me paranë publike.

Ky vendim është skandaloz, dhe duhet të revokohet sa më parë.