A po rrezikon Kosova edhe një arbitrazh me Telekomin

E publikuar: 25/04/2019 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë kësaj jave kishte një letër që iu drejtua ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka nga komisioni hetimor për kontratën mes Telekomit dhe Z-Mobile ku u rekomandua që të mos vazhdohet kjo kontratë.

“Ne sot e kemi diskutuar edhe me kryesuesin e komisionit dhe do t’i përgjigjemi tash, javën që vjen. Kemi treguar që një rrugë e tillë nuk është rruga e duhur për arsye të ndërhyrjes potenciale të politikës në këtë proces. E dimë që kontrata është bërë nga një bord i Telekomit kohë më parë, një e tillë duhet të negociohet nga e njëjta strukturë që ndërtohet nga vetë Telekomi”, ka thënë Lluka në Rubikon të KTV-së.

“Lidhur me këto negociata që janë duke ndodhur, rekomandimi i komisionit ishte që të ndërpriten negociatat, por jo kontrata deri në arritjen përfundimtare të hetimeve të komisionit”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka sqaruar se Telekomi ka obligim edhe 23 apo 24 milionë euro ndaj Z-Mobilet ndërsa ka thënë se duke e ditur gjendjen, nëse Z-Mobile e dërgon te përmbaruesit Telekomin, ndërmarrja publike do të falimentonte.

“Nuk guxon të ndodhë që Z-Mobile ta dërgojë për inkasim. Duhet të fokusohemi për një zgjidhje përfundimtare, edhe për ndërprerje të kontratës, por një zgjidhje gjentëlmene që pagesa të bëhet në një formë që s’e dëmton Telekomin. Telekomi s’mund të paguajë menjëherë as të marrë kredi por duhet gjetur forma me rata apo diçka tjetër. Nuk dua të paragjykoj a do të shkojmë në Arbitrazh apo jo, por s’është mënyra e duhur që kërkesa t’i dërgohet ministrit për të ndërprerë negociatat”, ka thënë ai më tej.