A mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me nxënësit e Sheshelit dhe Millosheviqit?

E publikuar: 21/07/2018 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet e Serbisë refuzuan sot kërkesën e vizitës zyrtare të ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, në Novi Pazar.
Kështu ka bërë të ditur në një komunikatë për media, Ministria e Punëve të Jashtme, duke e konsideruar këtë vendim, shkelje të marrëveshjes së Brukselit dhe cenim të lëvizjes së lirë.

“Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fondamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”.

“Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fondamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar.​

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte ftuar për të marrë pjesë në një konferencë dy ditore të Këshillit Kombëtar Boshnjak të Serbisë.

Serbia dhe Kosova, në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve, kanë nënshkruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe vizitat e zyrtarëve në vitin 2014, shkruan lajmi.net.

Por cili është mesazhi i këtij refuzimi? Me këtë Serbia edhe një herë tregoi qartë dhe prerazi se po e lufton Kosovën si shtet në çdo aspekt, e në anën tjetër është zotuar kinse për dialog dhe marrëdhënie të mira.

Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq një ish nxënës i kryeredakalit serb, Vojisllav Sheshel vazhdon të sillet me dy fytyra karshi Kosovës dhe Bashkimit Evropian, aty ky ka vite që po bisedojnë Kosova dhe Serbia për normalizim të marrëdhënieve dhe marrëveshje përfundimtare.

Jo vetëm Vuçiq vije nga shkolla e politikës serbe e cila në vitet e 90-ta dhe deri në fund të këtyre viteve bërë katër luftëra në Ballkan duke shkaktuar me qindra mijëra viktima.

Në krye të shtetit serb është edhe Ivica Daçiq, dikur i përkëdheluri i diktatorit dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë çdo ditë është në kërkim të minimit të shtetit të Kosovës. Aty është edhe Aleksandar Vulin i cili nga detyra e ministrit të Mbrojtjes në vazhdimësi nxit dhe kërcënon Kosovë dhe fqinjët tjerë të Serbisë.

Vulin është pasues i Mira Markoviqit, gruas së Millosheviqit në partinë e njohur si JUL.

Pra janë këtë vetëm disa nga drejtuesit e shtetit serb që Kosova i ka përballë në tentim për të arritur marrëveshje përfundimtare. /Lajmi.net/