A kërcënohet Kupa e Botës në Rusi dhe Katar?

E publikuar: 04/06/2015 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqja e presidentit të Federatës Botërore të Futbollit, Sepp Blatter, më 2 qershor, për shkak të skandalit për korrupsion në FIFA, ka ngritur disa pyetje.

A kërcënohet organizimi i Kupës së Botës në Rusi më 2018 dhe në Katar më 2022 – është njëra nga to.

Shtatë zyrtarë të FIFA-s janë arrestuar javën e kaluar në Cyrih, nën akuzat për korrupsion, të ngritura nga Shtetet e Bashkuara.

Prokurorët zviceranë kanë hapur edhe hetime për mitmarrje dhe shpëlarje parash, të cilat lidhen me ofertat për organizimin e Kupës së Botës në Rusi dhe Katar.

Zyrtarë të Katarit dhe Rusisë mohojnë se kanë bërë diçka të jashtëligjshme për të fituar organizimin, edhe pse disa raporte sugjerojnë ndryshe.

Kryeredaktori i revistës World Soccer Magazine, Gavin Hamilton, thotë se hetimi amerikan nuk është i motivuar nga dëshira për të ndëshkuar Moskën.

Në një intervistë telefonike për Radion Evropa e Lirë, Hamilton thotë se hetimi i Shteteve të Bashkuara deri më tash është fokusuar në korrupsionin e dyshuar brenda organizatës rajonale të futbollit për Amerikat dhe Karaibet.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rusët nuk duhet të frikësohen nga hetimi zviceran.

“Ka shqetësime për ofertën ruse, sepse ka qenë një marrëveshje midis ofertës së Katarit 2022 dhe të Spanjës e Portugalisë 2018, për të shkëmbyer votat. Oferta e Katarit ka arritur të sigurojë votat nga mbështetësit e Spanjës dhe Portugalisë, por këto të fundit nuk e kanë marrë mbështetjen e Katarit, sepse votat e tij kanë shkuar për Rusinë. Rusia ka arritur disi të bindë zgjedhësit se është më e fuqishme se Spanja e Portugalia. Pra, ka shumë njerëz që mendojnë se Rusia është e përfshirë në shpërdorime”, thotë Hamilton.

Sipas tij, rusët po ashtu kanë qenë më së paku bashkëpunues me Michael Garcian, avokat amerikan, i ngarkuar nga FIFA, për të hetuar akuzat për korrupsion te ofertat e Rusisë dhe Katarit.

“Ai as që ka qenë në gjendje të flasë me njerëz të përfshirë në ofertën ruse, sepse ata kanë refuzuar t’i lejojnë hyrjen në Rusi. Më pastaj, kanë thënë se kompjuterët që i kanë përdorur për ofertën, janë shkatërruar. Pra, Rusia ka bërë gjithçka të mundur për të penguar hetimet për shpërdorime”, thotë Hamilton.

Garcia ka dhënë dorëheqje në muajin dhjetor, pasi FIFA ka vendosur të publikojë vetëm një përmbledhje të raportit të tij.

Zemërimin e tij e ka shtuar edhe konstatimi i FIFA-s se hetimet nuk kanë gjetur ndonjë shkelje nga ana e Katarit dhe Rusisë.

Ekspertët pajtohen se është shumë herët të thuhet nëse hetimi zviceran ose amerikan mund të zbulojë ryshfet të tillë saqë të detyrojë zyrtarët e FIFA-s të rimendojnë për organizimin e Kupës së Botës në Rusi dhe Katar.

Në rastin e Rusisë, koha nuk është në anën e hetuesve.

“Përgatitjet në Rusi kanë avancuar. Jemi vetëm tre vjet larg Kupës së Botës në Rusi, andaj zhvendosja e saj në një vend tjetër do të ishte shumë problematike dhe do të përfshinte shpenzime të mëdha ligjore”, thotë Hamilton.

Megjithatë, ka një precedent për zhvendosjen e Kupës së Botës.

Në vitin 1986, Kampionati Botëror është luajtur në Meksikë, edhe pse ka qenë e planifikuar në Kolumbi.

Ky vendim është marrë në vitin 1982 dhe jo nga FIFA, por nga Qeveria e Kolumbisë, e cila është përballur me probleme ekonomike dhe me një lëvizje guerile.

FIFA ka pranuar vendimin dhe Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika kanë dalë shpejt si zëvendësime.

Meksika ka fituar secilën votë të hedhur nga komiteti ekzekutiv i FIFA-s në atë kohë.

Për Rusinë, ikja e Blatterit është lajm i keq, ka shkruar e përditshmja ruse Kommersant.

Rusia ka qenë një nga mbështetëset më të zëshme të Blatterit kur ai ka konkurruar për mandatin e pestë.

Kommersant ka shkruar se Blatter ka mbështetur Moskën kur disa në Perëndim dhe gjetkë kanë kritikuar FIFA-n, pasi Rusia ka fituar të drejtën për organizimin e Kupës së Botës më 2018, qysh katër vjet më parë.

Zyrtarët rusë dyshojnë se hetimet, sidomos ato të SHBA-së, janë të motivuara politikisht.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë janë në nivelet e Luftës së Ftohtë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Përgatiti: /rel/Valona Tela/