A janë zviceranët prapa takimeve sekrete Thaçi -Vuçiq?

E publikuar: 04/05/2018 18:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përveç protagonistëve Thaçi e Vuçiq, rol të madh në bisedimet e fshehta ku ndër të tjera janë përmendur edhe idetë për shkëmbim/ndarje të territorit të Kosovës, mësohet të kenë pasur edhe shtetet e fuqishme. Disa prej tyre për të ndalur çmendurinë e dyshes Thaçi-Vuçiq, e disa për t’i dhënë një shansë idesë që mund të çonte në pajtimin mes shqiptarëve e serbëve. Në lojë së fundmi u futën edhe zviceranët, si “organizatorë” të këtyre takimeve.
Takimet mes Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit për shkëmbim territoresh edhe më tutje quhen sekrete, vetëm pse ato nuk ishin formale. Edhe më tutje, të gjithë pranojnë që diçka e tillë ishte në tavolinë, përvec dy presidentëve.

Këto takime përveç që janë raportuar nga mediat ndërkombëtare prej Der Standard deri te The Guradian, privatisht pohohen se kanë ndodhur edhe nga njerëz të skenës politike të informuar nga diplomatët e huaj në Kosovë.

Një burim i mirëinformuar i ka thënë Gazetës Express se tashmë dihet që këto takime kanë ndodhur, ndërsa pohon se zviceranët i ka organizuar takimet sekrete të liderëve.

Gazeta Express sot ka dërguar pyetje në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë për të pyetur nëse zviceranët ishin të përfshirë në historinë e takimeve të fshehura Thaçi-Vuciq dhe nëse Zvicra kishte organizuar ato.

Në Ambasadë thonë se nuk ka diçka të tillë, ndërsa në përgjigjet e tyre rreth involvimit ose jo të Zvicrës në aranzhimin e takimeve, thuhet vetëm se këto takime nuk kanë ndodhur në shtetin e tyre.

“Nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër”, thuhet shkurt në përgjigjen e Ambasadës, ndërsa tregojnë se “Zvicra nuk e përkrah idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në fakt, Zvicra nuk është përmendur asnjëherë si vendi i takimeve. Thaçi e Vuciq besohet se përveç formalisht në Bruksel, ishin takuar edhe në Paris, në Uashington, Nju Jork. Shteti zviceran, sipas burimit të Expressit, nuk ishte vendi i takimit po vendi ndërmjetësues i idesë së shkëmbimit të territoreve.

Për çështjen e takimeve të fshehura është deklaruar opozita në Serbi. Madje, para pak muajve, kur thuhej se Thaci dhe Vuciq kishin shpeshtuar takimet e fshehura, Vuk Jeremic përcillte hap për hap kur të dy liderët dilnin jashtë vendeve të tyre.

Sipas deklarimeve të Jeremiq, Thaci me Vuciqin janë takuar me 13 mars në Paris, një javë më vonë në Nju Jork pak para takimit në Bruksel më 23 mars.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha dje gjatë seancës në Kuvend se atij vetë i ishte përmendur ideja e shkëmbimit të territoreve nga “vendimmarrësit”, që me gjasë fliste për ndërkombëtarët.

“Më është përmend ndarja edhe mu edhe tjerëve prej vendimmarrësve. Por ma shumë si ide që mund të burojë nga Serbia. Kështu na është thënë. Po i dëgjojmë prej andej edhe çka mendoni…”, tha Haradinaj. /Express/