A është ky formacioni i De Biasit?

E publikuar: 02/09/2015 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

De Biazi pritet ta nisë sfidën e 4 shtatorit në Kopenhagë me këtë formacion: Berisha -Xhimshiti, Cana, Ajeti, Agolli – Kukeli, Abrashi, Xhaka, Lenjani, Gashi – Cikalleshi.

Trajneri është në përpunim e sipër të indikacioneve që ka marrë nga lojtarët e grumbulluar dhe në bazë të qasjes taktike që do të ketë ndaj Danimarkës, po përvijon edhe formacionin titullar. Megjithëse mund të bëjë ndonjë ndryshim në momentin e fundit, De Biazi pritet ta nisë sfidën e 4 shtatorit në Kopenhagë me këtë formacion: Berisha -Xhimshiti, Cana, Ajeti, Agolli – Kukeli, Abrashi, Xhaka, Lenjani, Gashi – Cikalleshi.

Ekipi kuqezi, që po vijon përgatitjet në Trevizo të Italisë, është mjaft optimist. Për ta, objektivi është arritur praktikisht, dmth “play-off”-i, kështu që danezët do të jenë nën presion në këtë ballafaqim. Pra, kuqezinjtë do të luajnë me një skemë 4-5-1, ku kavajasi Cikalleshi do të jetë në majë të sulmit. Nga krahët do ta ndihmojnë me krosime, por edhe futje drejt qendrës së prapavijës kundërshtare dhe goditje të befasishme Gashi e Lenjani.

Golashënuesi i Bazelit ka fituar kësisoji balotazhin me Roshin e Rijekës, një lojtar që ka kaluar një lëndim dhe ka pak minuta në këmbët e tij në kampionatin kroat. Mesfusha do të ketë në qendër dyshen shkatërruese Xhaka-Abrashi, ndërsa paksa më pas, para mbrojtjes, Kukeli. Pra, sikurse shihet, De Biazi tenton ta frenojë manovrën ofensive të danezëve që në mesfushë, në mënyrë që të mos bjerë barra e madhe mbi mbrojtjen, një repart i rikonfiguruar për arsye lëndimesh dhe mungesash.

4-5-1

Kështu, duke qenë se Hysaj ka një problem në njërën kofshë dhe, sipas stafit mejkësor kuqezi, vështirë të jetë gati deri ditën e ndeshjes, ai duhet zëvendësuar me një tjetër. Arlind Ajeti do ta ketë këtë mundësi, nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli dhe shkodrani i Napolit superon dëmtimin në kohë. Përkrah Canës, në qendër të mbrojtjes, do të aktivizohet debutuesi Xhimshiti. Mungesa e Mavrajt krijon një boshllëk të madh aty, por shpresohet që “new entry” ta zëvendësojë denjësisht.

Lojtari i FC Zuyrihut grumbullohet për herë të parë në kombëtaren shqiptare. Majtas, në mbrojtje, ka vend për të përhershmin Agolli, që duhet të avancojë përpara kur sulmojnë kuqezinjtë, pasi njihet për krosimet e përpikta drejt sulmit. Porta nuk ka asnjë dilemë, i takon Etrit Berishës. Në këtë formacion nuk ka vend për Ergys Kaçen, edhe pse shtatshkurtëri i PAOK-ut po kalon një formë optimal sportive dhe ka qenë pike referimi në skuadrën e tij në Ligën e Europës. Ai njihet, gjithashtu, edhe për ekzekutimin e goditjeve të dënimit, por kjo detyrë tashmë i duhet ngarkuar dikujt tjetër.

Fakti që Abrashi mbron më shumë, fizikisht qëndron më lart, po ashtu ka luajtur rregullisht me Freiburgun në Bundesligë, i kanë dhënë përparësi atij. Qëllimi parësor është të mos pësojmë gol, sidomos në pjesën e parë, pastaj të mendohet për ndonjë suprizë me anë të kundërsulmit dhe goditjeve standarte. Natyrisht, në varësi të lojës, me kalimin e minutave pritet të aktivizohet edhe Kaçe, si dhe ndonjë lojtar tjetër, që e ka vënë vërtet në dilemë De Biazin.