A është infertiliteti sëmundje?

E publikuar: 22/02/2020 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëdija njerëzore është rritur dhe vazhdon të rritet ndër shekuj. Të gjithë jemi dëshmitarë se vetëdija e ultë njerëzore ka qenë dhe është ende shkaktar i vuajtjeve të shumta të njerëzimit si pasojë e faktit se, duke mos arritur t’i kuptojmë apo spjegojmë dukuritë e shumta negative, nuk arrijmë as t’i eliminojmë ato.
Fatkeqësisht, vetëdija e ultë njerëzore reflektohet shumë edhe në mjekësi, e me këtë edhe në shëndetin e njerëzve. Të gjithë jemi dëshmitarë të mëshehjes së shumë dukurive negative dhe sëmundjeve gjatë shekujve, respektivisht të të mbajturit sekret të tyre, për shkak të mentalitetit dhe paragjykimeve të rrethit si dhe për shkak të turpit që të flasim për to, e kjo prapë ndërlidhet me vetëdijen e ultë njerëzore.

Si shembull, personi më lehtë do të flet dhe do ta pranon se vuan nga kanceri se sa ta pranon se vuan nga infertiliteti (shterpësia), gjë që flet për një vetëdije të ultë njerëzore e cila edhe më tepër e ulë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.
Megjithatë, një hap shumë i rëndësishëm u arrit më në fund nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga shoqatat relevante botërore për shëndetin riprodhues kur u pranua se infertiliteti është sëmundje dhe si e tillë duhet trajtuar sikur çdo sëmundje tjetër. Ky paraqiti një hap përpara në vetëdijen njerëzore dhe një fije shprese më shumë për të gjithë ata që vuajnë nga infertiliteti, e që as vet nuk janë të vetëdijshëm se a kanë të bëjnë me një sëmundje apo me një problem privat i cili u takon vetëm atyre e jo edhe shoqërisë apo dikujt tjetër.
Prandaj, pranimi ndërkombëtar i infertilitetit si sëmundje, paraqet edhe një obligim më shumë për të gjitha qeveritë botërore që këtë problem ta trajtojnë seriozisht e jo ta injorojnë, sikur që kanë bërë në të kaluarën. E poashtu t’i detyrojnë kompanitë e sigurimeve shëndetësore që këtë sëmundje ta rimbursojnë (kompenzojnë) ashtu sikurse edhe të gjitha sëmundjet e tjera njerëzore. Madje, disa shoqëri të zhvilluara, siç është ajo kanadeze, kanë shkuar aq larg sa që iu ofrojnë donacion gratis të spermës çifteve të homoseksualëve si dhe grave të pamartuara.
Kështu pra, me shpalljen e infertilitetit si sëmundje, iu ofrua së paku gjeneratave të reja të femnave dhe të meshkujve një respekt për zgjidhjen e problemit të tyre dhe një ndihmë që ta luftojnë sëmundjen e tyre e cila një kohë të gjatë ishte neglizhuar, por e cila, sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e prek çdo të 4- tën martesë në vendet në zhvillim.
Pra, fatkeqësisht, deri vonë është menduar se infertiliteti është një stil jetese i përzgjedhur nga vet çifti, por, me ngritjen e vetëdijes njerëzore u arrit më në fund që ky problem të pranohet si sëmundje. Kështu që, sot infertiliteti definohet si “një sëmundje e sistemit riprodhues poçese edhe pas një periudhe prej mbi 12 muajsh të marrëdhënieve të rregullta seksuale, pa përdorimin e ndonjë kontracepcioni, nuk vjen deri te shtatzania”.
Shtrohet pyetja, se çka kanë ndërmarrë qeveritë e deritanishme kosovare lidhur me këtë problem? Fatkeqësisht, sikurse edhe shumë dukuri tjera mjaftë të rëndësishme për mirëqenien sociale të familjes, edhe kjo fushë pothuajse është e paprekur deri më sot tek ne. Respektivisht, vetëm para pak vitesh në Kosovë është aprovua ligji për Shëndetin Riprodhues, i cili madje është shumë gjysmak dhe i bërë kundër mentalitetit dhe interesave të pacientëve kosovarë, e që edhe më shumë e vështirëson zgjidhjen e problemit të tyre respektivisht kurimin e kësaj sëmundjeje, e cila në rrethanat tona madje paraqet edhe më tepër se një sëmundje serioze, kur dihet se në shoqërinë tonë njeriu pa pasardhës konsiderohet akoma si një person i pavlerë.
Madje, Kosova është i vetmi vend në regjion që pacientëve infertilë nuk ua rimburson asnjë lloj trajtimi të kësaj sëmundje, e aq më tepër nuk ua kompenzon procedurat e frytnimit të asistuar apo IVF-it, të cilat janë mjaftë të kushtueshme dhe shpeshherë janë e vetmja rrugë për të arritur deri te shtatzania, respektivisht deri te krijimi i familjes. E dihet se një familje e lumtur është parakusht për një shoqëri të lumtur.

Dr. Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Specialiste për infertilitet dhe IVF