A e helmuan edhe një ish-spiun rus?

E publikuar: 06/03/2018 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Britania do të përgjigjet “fuqishëm” nëse ndonjë qeveri e huaj qëndron prapa sëmurjes së një ish-spiuni rus dhe të vajzës së tij, tha sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, duke paralajmëruar se asnjë përpjekje për të marrë jetë në tokën britanike nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

Duke folur para Parlamentit, Johnson tha se Britania mund t’i shtojë sanksionet kundër Rusisë nëse del që Moska është e përfshirë.

Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia Skripal, janë në gjendje kritike për jetën, dy ditë pasi janë gjetur pa ndjenja në një ulëse jashtë një qendre tregtare në qytetin Sallsbëri të Anglisë.

“Nuk po e drejtoj gishtin askund. U them qeverive në gjithë botën se përpjekjet për të marrë jetë të pafajshme në tokën britanike, nuk do të kalojnë as pa u sanksionuar, as pa u ndëshkuar”, tha Johnson.

Autoritetet britanike nisën të hetojnë menjëherë rastin.

“Së bashku me agjencitë partnere po bëjmë hetime të gjera për të përcaktuar saktësisht se përse këta dy njerëz kanë humbur ndjenjat dhe për të qartësuar nëse ka ndodhur ndonjë aktivitet kriminal”, tha Craig Holden, ndihmës i shefit të policisë në qarkun Ueltshër të Anglisë.

Skripal është ish-kolonel i agjencisë ushtarake të inteligjencës në Rusi, i cili është dënuar për kalimin e sekreteve shtetërore në Britani në vitin 2006, por është liruar nga burgu në kuadër të një shkëmbimi të spiunëve në vitin 2010.

Edhe pse ai komentohet si rasti i fundit i rusëve që janë sëmurë ose kanë vdekur papritmas në Britani në vitet e fundit, policia u bëri thirrje mediave që të mos spekulojnë se sëmundja e tij është rezultat i një “loje të ligë”.

Sallsbëri, Angli

Sallsbëri, Angli

Policia tha se Skripal dhe vajza e tij po trajtohen për “ekspozimin e dyshuar ndaj një substance të panjohur”.

Shërbimi kombëtar shëndetësor tha se ka vetëm informacione të kufizuara në lidhje me pacientët, porse “nuk duket se ka rrezik të menjëhershëm për shëndetin publik”.

Substanca nuk është identifikuar ende, por mediat lokale raportojnë se shërbimet emergjente dyshojnë se mund të ketë qenë i përfshirë opium i fuqishëm sintetik.

Zyrtarë të kundër-terrorizmit thanë se janë të vetëdijshëm për “kërcënimet shtetërore”.

“Duhet të kujtojmë: të mërguarit rusë nuk janë të pavdekshëm, ata vdesin dhe mund të ketë tendenca për teori të konspiracionit”, tha Mark Rowley, zyrtar i kundër-terrorizmit, për Radio BBC-në.

Rusia “e gatshme” të bashkëpunojë në hetime

Rusia tha se nuk ka “asnjë informacion” për rastin e ish-agjentit, por u shpreh e gatshme të bashkëpunojë në hetime.

”Po e shohim këtë situatë tragjike, por nuk kemi informacione se çfarë ka çuar tek ajo”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sëmurja e mundshme e Skripalit nga ekspozimi ose gëlltitja e një substance të paidentifikuar ka sjellë në mendje sëmurjen dhe vdekjen e papritur të ish-zyrtarit të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, Aleksandr Litvinenko, në Londër, në vitin 2006.

Hetuesit britanikë kanë akuzuar Andrei Lugovoin, anëtar i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, për helmimin e Litvinenkos në një hotel në qendër të Londrës.

Ata kanë konstatuar se Litvinenko ka gëlltitur substancën radioaktive polonium 210, derisa ka pirë çaj me Lugovoin dhe bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, Dmitry Kovtun.

Moska i ka hedhur poshtë hetimet, duke thënë se ato kanë qenë të motivuara politikisht.

Kovtun dhe Lugovoi e kanë mohuar përfshirjen, pavarësisht gjurmëve të poloniumit, që, sipas hetuesve britanikë, ata kanë lënë në Londër.

Disa ekspertë të Rusisë në Britani thanë se kanë frikë se Skripal është viktima e fundit e një përpjekjeje për vrasje.

Por, Igor Sutyagin, i cili ka qenë pjesë e shkëmbimit të spiunëve, njësoj si Skripal, dhe tani është hulumtues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve në Londër, tha për agjencinë AP se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të drjetuar gishtin kah Moska.

“Ka shumë ish-oficerë të sigurisë që kanë dezertuar në Perëndim”, tha ai, duke bërë thirrje për më shumë kujdes derisa të bëhet gjithçka e qartë. “Është e nevojshme që ky informacion të balancohet”, tha Sutyagin.

Përgatiti: Valona Tela