A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria? Flet zëvendësministri i Shqipërisë

E publikuar: 01/11/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur nëse duhet dhe është i mundshëm një bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ne duhet ta pranojmë hapur, nëse ekziston një Shqipëri me 1 milion e 100 probleme ekonomike dhe administrative, si do të ndodhë absorbimi i Kosovës në këtë fazë”.

“Këtë po e shpalos si dilemë për të treguar se këtu ka më shumë populizëm ditor se sa platformë institucionale”.

“Ne duhet ta zgjedhim edhe një çështje tjetër – cili është modeli i kooperimit të mundshëm dhe unifikimit të shtuar Kosovë-Shqipëri?”.

“Prej Këshillit Nordik të themeluar në vitin 1953 deri tek Unioni Serbi-Mali i Zi i cili është shuar në vitin 2004, ka modele që mund të adaptohen në mënyrë kreative për rritje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”.

Cakaj në Zona B të Klan Kosovës ka folur për rrugët e ndryshme që Kosova dhe Shqipëria mund të rrisin bashkëpunimin, si dy shtete të ndara.

“Kjo nuk është thirrje që ne duhet të procedojmë në këtë drejtim por është impuls i rëndësishëm në reflektim të formave të mundshme të organizimit. Serbia dhe Mali i Zi kanë pasur Maroviqin president të unifikuar ndërkohë që Tadiqi ka qenë president i Serbisë dhe Filip Vujanoviqi ka qenë president i Malit të Zi”.

“Ka pasë mekanizma simbolikë të unitetit në kohën kur ka pasë institucione të ndara në performancë dhe në efikasitet të artikulimit të interesave të ndryshme shtetërore”.

“Po ashtu edhe komitetet e bashkëpunimit ndërparlamentar mund të jenë prej modeleve të përdorshme”.

“Këto që po i them nuk janë propozime konkrete institucionale, në fakt, janë kërkesë për një eksplorim më racional të horizonteve të mundshme të bashkëpunimit dhe për një parashtrim më konkret të gjithë problemeve”.

“Duhet ta kemi parasysh që kjo si alternativë mbetet opsioni i fundit rezervë nëse procesi i integrimeve evropiane dhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi shkojnë në drejtimin e duhur”.