A do të përballen Kosova e Serbia për taksën në Arbitrazh?

E publikuar: 05/04/2019 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar mundësinë që Kosovën ta dërgojë në Arbitrazh për shkak se, sipas saj, me vënien e taksës prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, e njohur si CEFTA. Por, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, thotë se është e gatshme për t’u mbrojtur në rast se kjo çështje arrin në Arbitrazh.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për mundësinë që Serbia ta dërgojë në Arbitrazh vendimin për taksën prej 100 për qind për importin e mallrave të saj.

“Qeveria e Kosovës jo vetëm që është e vetëdijshme, por është edhe e përgatitur në mbrojte, sepse vendimi buron edhe nga marrëveshja e CEFTA-s, do të thotë, është konsultuar marrëveshja e CEFTA-s, por është marrë edhe për çështje të sigurisë nacionale, si dhe në mbrojtje të prodhimit vendor. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Haradinaj, janë të bindur që arbitrazhin eventual do ta fitojë Kosova. Vetë fakti që Serbia eventualisht mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit, do të thotë që ajo e pranon ekzistencën e entitetit juridik-politik të pavarur, të quajtur Republika e Kosovës”, theksoi Matoshi.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ditën e enjte, ka theksuar se shteti i saj, aktualisht është duke e shqyrtuar nisjen e Arbitrazhit pranë CEFTA-s.

​“Kjo është mënyra e vetme që në këtë moment t’i mbrojmë interesat tona dhe të gjithë ata që kanë nënshkruar marrëveshjet e veta, t’i zbatojnë ato marrëveshje, gjegjësisht t’i respektojnë ato. Por, nëse nuk i respektojnë, atëherë, natyrisht që i bartin pasojat në përputhje me kontratat që janë nënshkruar”, ka thënë Bërnabiq.

Lidhur me paralajmërimet e Qeverisë së Serbisë, ka reaguar edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Qeverisë së Kosovës, Endrit Shala. Përmes një komunikate për media, ai ka thënë se “Serbia nuk ka bazë për ta dërguar Kosovën në Arbitrazh”.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është bazuar në faktin se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe këtyre dy shteteve kanë qenë dhe janë thellësisht asimetrike, për shkak të problemeve politike, siç ka thënë ai, të shkaktuara nga këto dy vende.

Në komunikatë thuhet se “këto dy vende në mënyrë konstante kanë vendosur barriera të pajustifikueshme ndaj tregtisë dhe ekonomisë së Kosovës në kundërshtim me objektivat e Marrëveshjes së CEFTA-s” dhe se Kosova vazhdimisht i ka raportuar këto barriera dhe duke qenë se nuk ka pasur asnjë reagim nga vendet e CEFTA-s”, atëherë Kosova ka marrë vendimin për taksën.

Sipas ministrit Shala, shtetet anëtare të CEFTA-s duke u bazuar në nenin 42 paragrafi 2 të kësaj marrëveshjeje, kanë të drejtë të kërkojnë konsultime bilaterale kur ka probleme dhe ai ka pranuar dy kërkesa të tilla nga ministrat përkatës të Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat nuk i janë adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, por në adresë të UNMIK-ut. Rrjedhimisht, ministri Shala, nuk ka pranuar takime bilaterale në emër të Republikës së Kosovës.

Ministri Shala ka sqaruar se më datë 11 dhjetor 2018 ka pranuar kërkesë për konsultime bilaterale nga Bosnja dhe Hercegovina, dhe më 24 janar 2019, një delegacion i kësaj ministrie është autorizuar që të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të përmbushur kërkesën për konsultime nga ana e Bosnjë e Hercegovinës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjëherë asnjë kërkesë zyrtare nga Serbia adresuar Republikës së Kosovës apo institucioneve të saj dhe për pasojë nuk ka pasur as konsultime”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Serbia, bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s, mund ta çojë Kosovën në Arbitrazh. Sipas tij, zgjidhja e kontestit përmes arbitrazhit, kërkon pajtimin e palëve për të pranuar vendimet që janë konsekuenca që dalin nga një vendim i këtij arbitrazhi.

Ujkani thotë se Serbia mund t’i referohet vendimit të taksës – se Kosova e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s – por, në anën tjetër, sipas tij, në Arbitrazh, as Serbia nuk mund të fshihet prapa faktit se ka bërë në mënyrë të vazhdueshme shkelje të vet marrëveshjes, duke i diskriminuar produktet me origjinë nga Kosova.

Siç thotë ai, nënshkrues i marrëveshjes së CEFTA-s për Kosovën është UNMIK-u, ndërkohë që institucionet e Kosovës tashmë kanë marrë përgjegjësi më të mëdha lidhur me marrëveshjen, duke i trashëguar ato nga UNMIK-u. Rrjedhimisht, sipas Ujkanit, kjo e bën më të vështirë zbatimin e ndonjë vendimi të Arbitrazhit, në mënyrën se si e pretendon Serbia dhe për më shumë, vet dërgimi i kësaj çështjeje në Arbitrazh, do të sillte implikime shtesë, të cilat do ta bënin më të fuqishëm vet subjektivitetin juridik të Kosovës.

“Për Serbinë, shkuarja në Arbitrazh, përmes UNMIK-ut, nuk mund të prodhojë më kurrfarë efekti juridik në Kosovë. Ndërsa, shkuarja me Kosovën në Arbitrazh, do të ishte një rrethanë tjetër, sepse kjo do ta fuqizonte subjektivitetin juridik të Kosovës, gjë që mendoj se Serbia nuk do të bëjë një gjë të tillë. Këtë se ka ndërmarrë as deri më tash, duke iu referuar edhe mospranimit për të pasur konsultime me Qeverinë e Kosovës”.

“Përkundër asaj që palë nënshkruese ka qenë UNMIK-u, rrethanat kanë ndryshuar. Po të mos ishte ashtu, atëherë shtrohet pyetja se pse UNMIK-u nuk e tërheqë taksën? Nuk është UNMIK-u ai që e ka vendosur dhe rrjedhimisht nuk mund ta heqë atë fare. Prandaj, çfarë efekti do të kishte në qoftë se UNMIK-u do të nënshkruante sot në emër të Kosovës? Mendoj se nuk do koment fare, sepse kjo kurrfarë efekti nuk do të prodhonte në Kosovë”, vlerësoi Ujkani.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, më 6 nëntor të vitit 2018 ka vendosur masën e taksës prej 10 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, e cila taksë, më 22 nëntor të po atij viti, me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte ngritur në 100 për qind.

Për shkak të kësaj mase, Serbia ka ndërprerë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në Bruksel.