A do të mbahet ‘Beer Fest-i’ i radhës në Prishtinë?

E publikuar: 10/07/2019 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Festivali i birrës dhe i verës është mbyllur para kohës me urdhër të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shkak që është marrë ky vendim kanë qenë ankesat e shumta të qytetarëve për pjesëmarrje të fëmijëve dhe shitje e përdorimi i alkoolit nga ana e tyre.

Gjatë natës së katërt të këtij festivali, aty ishin edhe Inspektoriati nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ç’rast hasën në parregullsi që çoi në ndërprerjen e këtij festivali.

Kryeinspektori i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, ka thënë për lajmi.net, se ndaj keqpërdorueseve saktësisht ndaj organizatorëve do të merren masa ligjore.

Ai ka bërë të ditur për lajmi.net, se ministria nuk është kundër organizimeve të tilla por, siç u shpreh Syla, është kundër keqpërdorimit të tyre dhe shitjes së alkoolit për fëmijët nën moshën 18-vjeçare.

Kryeinspektori Syla paralajmëron masa të rrepta për keqpërdoruesit e festivaleve, përfshirë edhe diskotekat

Endrit Shala është shprehur se ekzistojnë kritere në bazë të ligjeve në fuqi të cilat duhet të respektohen në rastin e mbajtjes së këtyre festivaleve, duke shtuar se këto kritere duhet t’i ketë parasysh edhe Komuna e Prishtinës me lëshimin e lejeve, por edhe organizatorët.

“Kriteret janë të përcaktuara në bazë të ligjeve në fuqi. Njëkohësisht edhe pastaj respektimi i atyre kritereve dhe respektimi i asaj që është moslejimi i futjes së të miturve dhe mos-ekspozimi i tyre ndaj alkoolit dhe mospërdorimi i tyre. Jam i bindur që Komuna e Prishtinës i ka parasysh kriteret e parapara në momentin që e japë lejen, por njëkohësisht edhe organizatori”, tha Shala për lajmi.net.

Më tutje, Shala është shprehur se në rastin kur hasen parregullsi do të veprohet sikur në rastin e mbylljes së këtij festivali, por nëse respektohen rregullat, festivali do të mbahet.

“Në momentin kur inspektorati i tregut i MTI-së që është organi qendror për mbikëqyrjen e tregut në Republikën e Kosovës vëren ndonjë parregullsi do të veprohet si në këtë rast dhe unë nuk do të kisha dashur të ketë ndonjë gjë të tillë. Nëse iu përmbahen rregullave, festivali do të mbahet”.

Vlen të theksohet fakti se në këtë festival të birrës dhe verës ka pasur edhe rrahje e therje me thikë gjë që ka rritur edhe më shumë brengat për mbarëvajtjen e festivalit.

Pamje të reja nga rrahja brutale në ‘Beer and Wine Fest’

Lidhur me këto, është thënë se do të merren masa edhe ndaj organizatorëve të festivalit.