A do të ketë më emërime të zëvendësministrave? Tregon zyra e Haradinajt

E publikuar: 30/05/2018 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka përfunduar procesin e emërimit të zëvendësministrave, numri i të cilëve ka kaluar mbi 70.

E shumë kritikuar për numrin e madh të emërimit të zëvendësministrave, kabineti qeveritarë më nuk do të ‘pasurohet’ më emërime të reja, përveç nëse ndodhë ndonjë zëvendësim i tyre.

Këtë e kanë konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Donjeta Gashi.

“Emërime në fillim ka pas edhe lëvizje te zëvendësministrave dhe ata janë zëvendësuar here pas here. Ne plan tash nuk ka për emërime te reja”, ka thënë ajo.

Kabineti i kryeministrit Haradinaj, është më i madhi për nga numri i Qeverive të Kosovës dhe një ndër më të mëdha në Evropë.

Kabineti Haradinaj ka 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe 75 zëvendësministra, ku vetëm këta të fundit Kosovës i kushtojnë mbi 2 milionë euro në vit.

Por, edhe pse Qeveria më nuk pritet të emërojë zëvendësministra, po zgjerohet me emërimet të koordinatorëve, të cilët marrin rrogë të njëjtë sikur se ministrat.

Haradinaj ka deri tash ka emëruar tre të tillë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ndonëse kishte pranuar se numri i zëvendësministrave është i madh, ai kishte thënë se nëse arrihet të gjendet punë për ta, deri diku arsyetohet ky numër.

Ai kishte kërkuar nga ministrat që të gjejnë angazhime për zëvendësministrat, madje nga ta ka kërkuar të raportojnë para tij çdo gjashtë muaj për punën e bërë.

E vetë disa nga zëvendësministrat janë ankuar për mungesë të kushteve të punës e për injorim nga ministrat.

Njëri ndër ta është edhe i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, i cili po ankohet se ministri Pacolli po e injoron atë.