A do të jetë teknologjia Blockchain fundi i sulmeve DDoS?

E publikuar: 30/09/2017 20:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sulmet Distributed Denial of Service (DDoS) – sulme kibernetike përmes të cilave hakerat nxjerrin jashtë funksioni një uebsajt apo burime tjetër informacioni në ueb duke e mbingarkuar me kërkesa të shumta nga disa pajisje njëherazi – përbëjnë një prej rreziqeve madhore për bizneset dhe organizatat në internet.

Dëmi i shkaktuar nga një sulm i tillë ndaj një kompanie e cila mbështet aktivitetin e saj plotësisht online është i pa llogaritshëm. Shembujt e sulmeve DDoS kanë qenë të shumta vitet e fundit ndërsa kriminelët kanë filluar të kërkojnë para nga kompanitë nëse nuk duan të jenë pre e sulmeve DDoS.

Në dekadën e fundit teknologji të ndryshme janë zhvilluar për të reduktuar rrezikun e sulmeve DDoS, por edhe aftësitë e hakerave kanë avancuar gjithashtu.

Falë Internetit të Gjërave, hakerët sot kanë akses në më shumë mjete të cilat fuqizojnë tej sulmet DDoS.

Thembra e Akilit e mbrojtjeve ndaj sulmeve DDoS është fuqia e tyre për absorbuar sasitë e mëdha të trafikut, një proces i cili kërkon shumë bandwidth por edhe fuqi procesorike.

Nga ana tjetër kriminelët sulmojnë me anë të “zombive,” kompjutera të marrë nën kontroll përmes maluerëve që do të thotë se resurset e tyre janë falas për tu përdorur.

Nisur nga kostoja e lartë e mbrotjes DDoS, firmat që ofrojnë një shërbim të tillë paguhen nga bizneset për të përballuar sasitë e larta të trafikut, një kosto e lartë për çdo organizatë e të cilave nuk i ngelet opsion tjetër.

Firma të tjera sigurie ofrojnë mbrojtje deri në atë masë sa ky shërbim është fitimprurës për ta. Rast konkret është sulmi DDoS ndaj uebsajtit të ekspertit të sigurisë Brian Krebs i cili atë kohë mbrohej nga Akamai.

Kompania i tha Krebs se nuk mund ta mbronte më sajtin e tij të cilin duhej ta zhvendoste tek një tjetër kompani.

E thënë ndryshe, sado e fuqishme të jetë një infrastrukturë anti-DDoS, ekziston një limit për kompanitë që mbrojnë të tilla sajte.

Megjithatë një startup i cili po kërkon një mënyrë për të adresuar këtë problem, beson se zgjidhja gjendet tek teknologjia blockchain.

Një prej formave të aplikimit për të cilën shquhet teknologjia në fjalë janë monedhat virtuale si bitcoin dhe sistemet e kontratave inteligjente.

Informacioni mbi këtë teknologji i shpërndarë në internet është thuajse i pa korruptueshëm dhe jo vetëm që nuk ka nevojë për një autoritet qendror që të menaxhohet por mbron informacionin duke i dhënë akses vetëm palëve të autorizuara.

Duke përdorur blockchain-in, startupi Gladius ka krijuar një sistem me të cilin njerëzit mund të japin me qira bandwidth-in e tyre të papërdorur ku në këtë rast mund të përdoret për të absorbuar trafikun e sulmeve DDoS.

Për pjesën më të madhe të të rriturve, bandwidth-i i tyre është thuajse i paprekur në shtëpitë e tyre duke krijuar një tepri të cilën Gladius kërkon ta shfrytëzojë.

Funksionon pothuajse në të njëjtën mënyrë siç funksionon Airbnb ku në vend që të lini shtëpinë tuaj bosh pa përfituar asgjë, mund ta lëshoni me qera.

Duke përdorur blockchain-in, Gladius së pari eliminon nevojën e një pale të mesme mes ofruesve të bandwidth-it dhe atyre që kanë nevojë për të si dhe mund të blihet vetëm kur një palë ka nevojë për të.

Pronarët e uebsajteve mund të përdorin bandwidth-in edhe për të përshpejtuar dërgimin e përmbajtjeve tek konsumatori (Content Delivery).

Pagesat në Gladius kryhen me anë të sistemit të saj të monedhës virtuale. Gladius do të fillojë një ICO në Tetor dhe ka planifikuar të fillojë operacionet vitin e ardhshëm.

Natyrisht si çdo startup edhe Gladius ka sfidat e tij për tu përballur. Së pari është herët për të mësuar nëse startupi do të arrijë të fitojë terren ndaj bizneseve me peshë në këtë sektor, megjithatë duke u shfaqur si diçka e re me një model të demokratizuar dhe mundësi të mëdha financiare, Gladius me të vërtetë e ka një shans.

Sigurisht nëse Gladius bëhet i suksesshëm, duhet të implementojë një siguri e cila ndalon hakerat të monetizojnë kompjuerat zombie duke i transformuar nga burim sulmi DDoS në mbrojtje kundër DDoS.

Gladius mund të jetë një prej pionerëve të përdorimit të blockchain për mbrojtje nga DDoS, por nuk është i vetmi. Me siguri në vitet e ardhshme do të shohim shumë teknologji bazuar në blockchain të cilat premtojnë modele më të mira të shfrytëzimit të burimeve për të adresuar sfidat e sigurisë. /PCWorld Albanian