A do të hiqet taksa për ta futur Kosovën në agjendë të liberalizimit të vizave?

E publikuar: 02/12/2018 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova do të heqë taksën për produktet serbe e boshnjake nëse BE vendos në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këtë e kanë konfirmuar burime të Gazetën Express brenda Qeverisë dhe Kuvendit. Zyrtarë të Ekzekutivit dhe Parlamentit kanë thënë se një vendim i tillë do të merret nëse BE vendos t’ua heqë kosovarëve vizat në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE’së.

“Taksa hiqet në rast se Kosova futet ne agjendë të liberalizimit te vizave. Johanes Hahn do të ushtrojë presion të madh në takimet që do t’i zhvillojë me përfaqësuesit e shtetit. Takohet me Presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veselin”, thanë burimet.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, nesër do të zhvillojë vizitë me krerët kryesorë të shtetit.

Edhe pse njerëzit e pushtetit tërë vitin dhanë deklarata se vizat hiqen në dhjetor, dje, Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, konfirmoi se në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kjo edhe e rrezikon Kosovën që të vazhdojë të mbes vendi më i izoluar në rajon.

Pas dështimit të antarësimit të Kosovës në INTERPOL, Qeveria Haradinaj mori vendim për vënien e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjes. Këtë vendim e pritën mirë kosovarët por serbët protestuan disa herë radhazi madje katër kryetarë të komunave dhanë edhe dorëheqje.Vendimi nuk u përkrah as nga zyra e BE-së.

Sidoqoftë, anëtarët e Listës Serbe këtë të diel janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, ata po e presin komisionerin Hahn për t’iu ankuar për taksën. Këta u kanë ofruar 10 votat e tyre opozitës për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Në tërë këtë situatë keryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.