Mjekët nisin grevën, paralajmërojnë bojkot të punës në janar

E publikuar: 18/12/2018 09:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Stafi mjekësor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë ditës së djeshme ka nisur grevën 24-orëshe, duke kërkuar ngritjen e pagave për gjithë personelin shëndetësor. Për shkak të grevës në QKUK janë trajtuar vetëm rastet emergjente, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kryetari i Federatës së Sindikatave e Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se nëse nuk ka rritje të pagave për mjekët në muajin janar të vitit 2019 stafi mjekësor do ta bojkotojë punën. Sipas tij, nëse nuk ka reflektime rreth kësaj çështjeje do të merren edhe masa tjera. “Më datën 20 dhjetor 2018 mbahet Këshilli drejtues i Federatës, i cilin do të marrë vendime në nivel nacional. Nëse nuk ka reflektim, nuk besoj që do të jenë vendimet e mira. Këtë mbledhje e kemi bërë para aprovimit të buxhetit për t’i paralajmëruar, me siguri do të bëjmë edhe një grevë paralajmëruese. Unë e di që në janar do të dalë ajo që kemi thënë bojkoti i vendeve të punës nëse nuk ka rritje të pagave nga ana e Qeverisë për të gjithë punëtorët shëndetësorë. Deri më 20 dhjetor do ta lëmë vakuumin për bisedime”, ka thënë ai.