Djokovic eliminon Nadal nga Roland Garros

E publikuar: 03/06/2015 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk ka festë për Nadal në ditën e datëlindjes së tij, me mbretin e dheut të kuq, që u mund pikërisht në turneun e tij të preferuar nga Novak Djokovic, me serbin që siguroi një vend në gjysmëfinalet e Roland Garros.

Spanjolli, që festonte 29-vjetorin e lindjes kërkonte trofeun e tij të dhjetë në French Open, por gjeti përballë një Djokovic të motivuar, që arriti të mundë për herë të parë në karrierë mbi dheun parizien rivalin e tij spanjoll. Seti i parë ishte më i ekuilibruari, me Djokovic që fitoi me vështirësi 7-5, ndërkohë që dhe në setin e dytë serbi arriti t’i marrë shërbimin kundërshtarit të tij duke fituar 6-3.

Nadal, që kishte fituar pesë edicionet e fundit në Roland Garros, u dorëzua plotësisht në setin e tretë, me Djokovic që fitoi pa shumë probleme 6-1. Kjo ishte humbja e dytë në karrierë e pësuar nga Nadal në Grand Slam Francez, pasi në vitin 2009 ishte eliminuar në raundin e katërt nga ana e Robin Soderling.

Në kategorinë e femrave, Serena Williams gjithashtu arriti të sigurojë një vend në gjysmëfinale pasi mundi pa shumë probleme Sara Erranin në dy sete, 6-3, 6-1 ndërkohë që përballë saj do të jetë Timea Baczinsky, e cila mposhti 6-4, 7-5 Alison van Uytvanck duke u bërë e para zvicerane që arrin kaq larg në këtë turne që prej kohës së Martina Hingis në vitin 2001./ss/