77 zyrtarë publikë nuk e deklaruan pasurinë e tyre

E publikuar: 16/04/2019 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Strategjinë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2019-2023 dhe Planit të Veprimit.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, gjatë raportimit të tij në këtë komision ka pranuar se duhet të ndërrohet emri i kësaj agjencie dhe të bëhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Agjencia nuk është e imja, pajtohem me iu ndryshu emri si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duhet ta ketë parandalimin, duhet me ekzistu dhe ende mu fuqizu në aspektin administrativ”, tha Havolli.

Sa i përket veprimtarisë që ka AKK-ja, Havolli tha se nga kjo agjenci janë ngritur 90 aktakuza, prej tyre janë shqiptuar 56 aktgjykime dënuese në Prokurori.

“Janë ngritur 90 aktakuza, janë shqiptuar 56 aktgjykime dënuese në prokuroritë lidhur me kallëzime penale të ngritura nga Agjencitë në këto kallëzime përfshihen çështja e veprave penale për keqpërdorim i detyrës zyrtare, kallëzim i rrejshëm i pasurisë etj”, tha Havolli, raporton EO.

Shefi i AKK-së ka treguar se 98 për qind e zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë e tyre, ku nga 4737 zyrtarë kanë janë deklaruar 4660.

“Pasurinë duhet të deklarojnë 4737 zyrtarë, prej këtyre 4660 e kanë deklaruar apo 98% e kanë deklaruar pasurinë. 77 nuk e kanë deklaruar, 46 prej tyre pas afatit, 25 nuk e kanë prezantuar fare dhe 6 me arsye. 95% e buxhetit është shpenzuar për vitin 2018, nuk kemi pasur telashe me shpenzim”, tha ai.

Havolli njoftoi se janë 119 raste për konflikt interesi.

“Prokuroritë janë më aktive sa i përket agjencisë, gjitha rastet e agjencinë që janë ata thërrasin edhe zyrtarin ligjor apo atë që ka ushtruar atë rast penal”, tha ai.