MZH lanson fondin për Teknologjinë e Informacionit dhe Inovacionit

E publikuar: 17/05/2015 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë iniciativën për themelimin e një Fondi të pavarur të dedikuar për mbështetjen e kompanive të reja dhe në rritje të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në Kosovë mbi bazën e konceptit të bashkëpunimit  publiko-privat, konform orientimeve strategjike të Qeverisë, ka bërë të ditur sot kreu i kësaj ministre, Ministri Blerand Stavileci.

Gjatë një konference për shtyp ku ka prezantuar qëllimin dhe modalitete të këtij fondi, Ministri Stavileci tha se kjo iniciativë synon të nxis investimet e përbashkëta me investitorët privat, çka do të nxiste edhe interesimin e institucioneve ndërkombëtare financiare për të krijuar një fond të pavarur investiv për sektorin e TIK-ut dhe përkrahjen e inovacionit dhe rritjen e sektorit.

Sipas tij, Fondi i propozuar do të adresonte disa nga problemet kyçe dhe pengesat për qasje në financa të identifikuara dhe atë në një mënyrë të integruar dhe të koordinuar, ndërsa ka shtuar se Qeveria do të ndajë një fond investiv prej 2 milionë Euro, i cili do të përputhej me një fond shtesë nga donatoret prej 2 milionë Euro dhe do të nxiste fillimisht dhe 2 milionë Euro investime nga sektori privat, duke arritur një total prej 6 milionë Euro.

I pari i MZHE-së është shprehur i bindur se kjo shumë prej 6 milionë Euro do të nxiste edhe 6 milionë Euro investime nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe diaspora, ndërsa fondi do t’i ofrojë qasje në financim kompanive të reja dhe në rritje të TIK-ut në vend dhe atyre nga jashtë, ndërsa vlerat investive do të jenë nga 20,000 – 500,000 Euro,

“Investimet e Fondit do të fillonin të kthenin fitime nga investimet prej vitit të 3-të dhe duke qenë se është fond i ri-investueshëm së paku për pjesën e investitorëve publik, fondi do të arrinte deri në vitin 5-të në vlerën prej 17.6 Milionë Euro”, tha Stavileci.

Ministri Stavileci tha se arsyeshmëria e fondit bazohet në zhvillimet e përgjithshme në këtë fushë, sipas të cilave ku nuk mund të mendohet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik pa një ekonomi digjitale.

Ai tha se Fondi synon që brenda 5 viteve të krijojë rreth 11 mijë vende pune, ndërsa do të bazohet në tri kritere të mbështetjes së ndërmarrjeve e ato janë: punësimi, edukimi dhe inovacioni.

Ndryshe, menaxhimi i fondit parashihet të bëhet nga një menaxher i specializuar privat – pa ndikim nga qeveria, i cili do ti jepte kredibilitetin Fondit dhe do të mundësonte investimin e mjeteve shtese nga donatoret dhe fondet investive, derisa funksionalizimi i fondit pritet të nis brenda këtij viti.