Ribery nuk rikthehet te Franca

E publikuar: 30/04/2015 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Franck Ribery nuk ka ndërmend të bëjë prapakthehu në vendimin për të mos luajtur për kombëtaren franceze. E thotë këtë agjenti i tij, duke shuar kështu çdo shpresë për ta parë 32-vjeçarin sërish me fanellën e Francës. Vitin e shkuar, Ribery humbi Botërorin e Brazilit për shkak të një problemi në shpinë dhe më pas njoftoi tërheqjen, vendim që nuk kaloi pa polemika. Presidenti i UEFA-s, francezi Michel Platini, i zhgënjyer nga kjo zgjedhje e Ribery, hapi një debat kur tha se lojtarët nuk kanë të drejtë të refuzojnë kombëtaren kur ajo i kërkon. Megjithatë agjenti i mesfushorit, Jean-Pierre Bernes vazhdon të besojë se Ribery mori vendimin e duhur në kohën e duhur, ndërsa i quan të padrejta kritikat ndaj tij.

“Nuk besoj se ka ndonjë shans që ta shikojmë Ribery sërish në ekipin kombëtar. Ai bëri një zgjedhje, të cilës do t’i qëndrojë deri në fund. Në Francë, njerëzit nuk kanë qënë gjithmonë të dashur me të. Franck është shumë i ndjeshëm dhe klima me kritika të vazhdueshme nuk ishte e mirë për të”, tha Barnes, i cili në vijim shprehu besimin se francezi do të rikthehet për Bayernin nga dëmtimi, përpara fundit të sezonit.