6 arsye pse Python është gjuha e programimit e së ardhmes

E publikuar: 08/03/2019 09:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Argumentet rreth gjuhës më të mirë të programimit, se kush është mbreti dhe kush është i dështuari, nuk përfundojnë kurrë. Një përgjigje përfundimtare nuk është dhënë asnjëherë se cila është gjuha më e mirë megjithatë ka arsye të mjaftueshme për të besuar se Python është një prej tyre.

Pavarësisht nëse jeni fillestar apo veteran i Python, ekzistojnë disa arsye pse Python është gjuha e programimit e së ardhmes.

  1. Python është popullor

Popullariteti mbase nuk është mënyra e duhur për të matur vlerën. Megjithatë njerëzit kërkuan Python më shumë sesa Kim Kardashian në Amerikë vitin e kaluar.

Për shumë njerëz ky krahasim mund të duket i pavend. Megjithatë tregon se ekziston interes i lartë për programimin në tërësi. Python u shfaq për herë të parë në 1991 si pasardhës i gjuhës ABC. Kur krijuesi Guido Van Rossum ishte duke punuar me këtë gjuhë, ai nuk ja kishte idenë se një ditë do të bëhej kaq popullore.

Suksesi nuk matet thjeshtë me interesin në rritje rreth kodimit në vitet e fundit. Vitin e kaluar Stack Overflow analizoi të dhënat për rritjen e gjuhëve të programimit bazuar në të dhënat e trafikut nga vendet me të ardhura të larta. Nga këto të dhëna Python është një prej gjuhëve të programimit me rritjen më të shpejtë.

Në vitet e fundit popullaritetit po rritet dhe nuk jep shenja ngadalësimi.

  1. Kompanitë e mëdha përdorin Python

Python përdoret nga disa prej emrave të mëdhenj në teknologji. Uber, PayPal, Google, Facebook, Instagram, Netflix, Dropbox, dhe Reddit të gjithë përdorin Python në zhvillimet dhe testimet e aplikacioneve të tyre.

Për më tepër Python përdoret intensivisht në robotikë e madje edhe pajisje si Arduino. Edhe sistemet e vjetra të shkruara në C dhe C++ janë të thjeshta për tu ndërvepruar me Python.

Kudo ku kërkohet analizë të dhënash, Python shkëlqen. Goldman Sachs është një prej institucioneve të mëdha të shumta financiare që përdorin Python për të përpunuar sasitë e mëdha të të dhënave që gjenerojnë.

  1. Machine Learning me Python

Machine Learning është një prej teknologjive më të rëndësishme të epokës moderne. Kjo teknologji sot përdoret për të kuruar eksperiencën tuaj në internet. Rrjetet neurale të trajnuara po bëjnë çdo gjë që nga moderimi i rrjeteve sociale tek makina me sistem vetëdrejtimi. Kjo fushë ka ecur përpara me shpejtësi të lartë vitet e fundit sidomos me rritjen e fuqisë përpunuese të harduerëve. Potenciali është i madh dhe por larg përmbushjes.

Por çfarë ka të bëjë e gjitha kjo me Python? Shumë. Ndërsa ekzistojnë librari për të punuar me gjuhë të tjera popullore programimi, Python është gjuha de fakto e machine learing. Google TensorFlow punon me Python. Pothuajse çdo rrjet neural përdor Python. Analiza e të dhënave dhe ajo gramatikore të kërkuara nga machine learning funksionon shumë mirë me Python dhe libraritë e saj.

Kërkesa për machine learning po rritet dita ditës. Një njohuri sado e vogël rreth Python ju vendos përpara të tjerëve të cilët po e mësojnë nga e para.

  1. Mbështetja për Python është e lartë

Për shkak të rritjes meteorike në popullaritet, Python ka një mbështetje të mirë online në pothuajse çdo nivel. Si një gjuhë popullore tek fillestarët, shpjegimi i koncepteve bazë të programimit krahas sintaksës bëhet përmes shumë tutorialeve online.

Edhe sajte si StackOverflow ofrojnë ndihmë me bazat e gjuhës së programimit në nivel fillestarësh. Në anën tjetër të spektrit, programuesit po punojnë në problem komplekse të cilat pritet të gjejnë mbështetje kur historikisht nuk kanë pasur.

Mbështetja e komunitetit online për të gjitha gjuhët e programimit është rritur vitet e fundit. Python është ai që ka përfituar më së shumti.

  1. Python është gjuha e edukimit

Përdorimi i kompjuterëve në edukim ka ndryshuar në mënyrë radikale vitet e fundit. Në të kaluarën studentët kanë mësuar aftësi përmes prezantimeve më bazike. Natyrisht u duhej edhe pak fat. Sot teknologjia në edukim ka hyrë në një nivel tjetër ku kodimi ka zënë vendin që i takon në shumë klasa mësimore në mbarë botën.

Python është një gjuhë programimi e thjeshtë dizajnuar me përshkrime të thjeshta dhe sintaksë që ka sens. Eksperienca e përdoruesit ka prioritet të lartë. Kjo e bën perfekte për tua mësuar fëmijëve.

Përveç qartësisë që gjuha në fjalë ka, është një gjuhë standarde për Raspberry Pi, një kompjuter me në fokus edukimin. Nuk jeni bindur ende? Ekziston një version i Minecraft që ju mëson Python.

Universitetet mësojnë Python jo vetëm në shkenca kompjuterike por edhe matematikë. Matplolip, një librari popullore e Python, përdoret në subjekte të të gjitha niveleve për të shprehur të dhëna komplekse. Python është një prej gjuhëve me rritjen më të shpejtë në Codeacademy.

  1. Python është i lirë për tu përdorur

Të thuash që Python është i lirë për tu përdorur të krijon konfuzion në pamje të parë. Në fund të fundit çfarëdo gjuhë programimi që vendosni të ndiqni, në shumë raste nuk të kushton asgjë.

Por Python është i lirë në një sens tjetër. Është Open Source. Projekti Python deri para pak kohësh udhëhiqej nga krijuesi Guido van Rossum. Është plotësisht Open Source dhe i përshtatshëm GPL. Mund të mos u duket e rëndësishme diçka e tillë por softuerët Open Source janë ata që kanë ndryshuar botën. /ICTSlab