55 euro për ta parë meçin Joshua – Fury nga shtëpia? – Reagon promotori Hearn

E publikuar: 20/06/2020 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tifozët e boksit mund të detyrohen t’i shpenzojnë nga rreth 55 euro për ta shikuar meçin mes dy boksierëve britanike të peshave të rënda, Anthony Joshua dhe Tyson Fury, pasi që meçi mund të transmetohet vetëm në formën “pay-per-view”. Promoteri i Joshuas, Eddie Hearn, ka thënë se ai nuk e kontrollon këtë çmim por televizionet, ndërsa ka shtuar se s’beson që çmimi do të jetë kaq i lartë.

Promotori i Anthony Joshuas, Eddie Hearn, e konfirmoi javën e kaluar se dyshja britanike ka arritur marrëveshje për t’i zhvilluar dy meçe vitin e ardhshëm, kur njëri prej tyre do ta ketë mundësinë të shpallet kampion i unifikuar i peshave të rënda në boks, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, World Boxing News raporton se ky meç mund të rezultojë më i shtrenjtë sesa të gjithë meçet e tjera, pasi që çmimi  për ta parë meçin, në formën pay-per-view, mund të jetë deri në 55 euro.

Ky çmim është dukshëm më i lartë sesa çmimet e kaluara, pasi që, për shembull meçi i Joshua kundër Andy Ruiz kushtoi pak më shumë se 20 euro. Por, Hearn s’beson se çmimi do të rritet deri në 55 euro.

“Ju mendoni se unë dua ta ngre çmimin dyfish. Por, nuk jam unë ai që i cakton këto çmime. Por, a mendoj unë se çmimi do të shkojë mbi 29.9 funte? Jo, nuk mendoj ashtu”, ka thënë Hearn.

“Por, e përsëris, nuk e marr unë këtë vendim. Nuk mendoj se televizionet do ta shohin këtë meç me synimin për ta rritur çmimin”.

Joshua i mban titujt IBF, WBA dhe WBO pasi mori hakmarrje për disfatën e tij të vetme në karrierë ndaj Andy Ruiz Jr në dhjetor të vitit 2019. Ai i ka fituar 23 nga 24 meçet e tij, 21 me nokaut.

Ndërsa, triumfi mbresëlënës i Furyt ndaj Deontay Wilderit në rimeçin që u zhvillua në shkurt ia dha atij titullin e WBC. Në këtë meç, Fury e shënoi fitoren e 21-të në karrierë me nokaut, aq sa Joshua por me gjashtë meçe më shumë të zhvilluara.

Joshua dhe Fury do të duhet t’i mbrojnë titujt e tyre në meçet kundër Kobrat Pulev dhe Deontay Wilderin para se ta zhvillojnë këtë meç mes vete. /Gazeta Express/