Thaçi mbështet thellimin e bashkëpunimit me Japoninë

E publikuar: 12/03/2015 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka pritur për një takim pune Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe të Plotfuqishëm të Japonisë në Austri, Kosovë dhe Maqedoni, z. Makoto Taketoshi, me të cilin diskutoi për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Thaçi e falënderoi ambasadorin Taketoshi për përkrahjen që Japonia i ka dhënë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, si në rrafshin politik ashtu edhe në atë ekonomik dhe kulturor.

Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi ambasadorin Taketoshi për konsolidimin e shtetit të Kosovës, brenda dhe jashtë, si dhe për rolin konstruktiv që Kosova po luan në rajon. Duke treguar për të arriturat në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Zëvendëskryeministri Thaçi tregoi se pjesë e dialogut do të jetë edhe çështja e borxhit ndaj Japonisë dhe se Kosova do të marrë mbi vete pagesën e pjesës së vet të borxhit që kjo çështje të mos bëhet pengesë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Thaçi shtoi se Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Japonisë në zhvillimin e vendit pas luftës dhe ftoi që të thellohet ky bashkëpunim mes vendeve.

Ambasadori japonez Taketoshi falënderoi Zëvendëskryeministrin Thaçi për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe njoftoi për projektet që shteti i Japonisë ka me Kosovën. Ambasadori Taketoshi njoftoi për projektet për asistencë teknike në Pejë dhe Istog si dhe për projektet me Ministrinë e Arsimit për të financuar shkollimin e plotë të një studenti nga Kosova, çdo vit, në universitetet e Japonisë.