50 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane janë diagnostikuar me lëndime traumatike në tru pas sulmeve me raketa nga Irani

E publikuar: 29/01/2020 09:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pentagoni tha të martën se 50 pjesëtarë të forcave të armatosura janë diagnostikuar me lëndime traumatike në tru pas sulmeve me raketa nga Irani në një bazë ushtarake në Irak më herët këtë muaj. Kjo shifër është për 16 më e lartë sesa ajo që ishte dhënë fillimisht nga ushtria.

“Deri më tash janë diagnostikuar 50 ushtarë”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pentagonit, Thomas Campbell. Sulmi kishte ndodhur në bazën ajrore “Ain al-Asad” në perëndim të Irakut.

Tridhjetë e një pjesëtarë morën trajtim në Irak dhe u kthyen në detyrat e tyre, përfshirë 15 që u diagnostikuan së fundi, tha zëdhënësi Campbell.

Tetëmbëdhjetë ushtarë janë dërguar në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm dhe një tjetër është dërguar në Kuvajt.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dukej sikur po mundohej t’i nënvlerësonte lëndimet e ushtarëve javën e kaluar, duke thënë se ka dëgjuar që ata kanë përjetuar dhimbje koke dhe disa gjëra të tjera.

Sipas të dhënave të Pentagonit, rreth 408 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura dhe stafit përcjellës janë diagnostikuar me lëndime traumatike në tru nga viti 2000, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.