50 mijë euro për pastrimin e Lepencit nga azbesti

E publikuar: 10/08/2018 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për projektin “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit ” i cili ka vlerën prej 50 mijë euro dhe që financohet nga MMPH.
U.d i ministrit të MMPH, Fatmir Matoshi ka thënë se nuk do të kursehen në zhvillimin e Komunës së Hani Elezit pasi është komuna më e varfër në Kosovë. “ Sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për financimin e projektit që ka të bëjë me largimin e azbestit në lumi Lepenc dhe rreth tij. Hani i Elezit është ndër komunat më të varfra në Kosovës për të cilën ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk do të kursehemi ta mbështesim në zhvillimin e saj, jo vetëm në këtë projekt, por në të gjitha fushat që lidhen me mjedisin dhe planifikimin hapësinor”, ka thënë Matoshi.

Aksioni i pastrimit të Republikës së Kosovës do të fillojë me 15 shtatorë dhe do të përfshijë edhe Komunën e Hani Elezit.

Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma tha se projekti i MMPH është shumë i rëndësishëm për komunën

“Me këtë projekt kemi të bëjmë me pastrimin e mbetjeve të azbestit në brigjet e lumit Lepenc. Në komunën tonë kemi azbest përgjatë brigjeve të lumit Lepenc dhe tek fusha e futbollit. Tani përmes këtij nënshkrimi ne do të shpallim tenderin për të larguar azbestin në këto pika”, tha Suma. Projekti “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit”, do të rregullojë një nga problemet më të mëdha dhe më të rrezikshme që ka Komuna e Hanit të Elezit, atë të largimit të azbestit. /Lajmi.net/