5 karakteristika dalluese të ICO-ve mashtruese

E publikuar: 20/03/2018 01:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Crowdfunding, një praktikë e financimit të një projekti të caktuar nga një numër i madh përdoruesisht kryesisht nga interneti, ka ndryshuar kuptimin për financimin në tërësi e veçanërisht në botën e kriptomonedhave.

Për të lançuar një projekt njerëzit nuk kanë pse të ndjekin procedurat e zakonshme burokratike. Megjithatë mundësitë të reja sjellin sfida të reja, dhe të tilla janë mashtrimet me ICO-të.

Ndërsa financime të tilla kanë ndihmuar nismëtarët e projekteve të përmbushin ëndrrat e tyre, projektet ICO janë bërë aq të zakonshme saqë vështirë se kalon një javë pa u lançuar një ICO e re.

Është bërë shumë e vështirë të dallosh një ICO të vërtetë nga një mashtrim.

Për të adresuar rrezikun e ICO-ve të rreme, projekte si Wings Platform janë zhvilluar. Edhe pse ende në fazë ndërtimi, me platformën anëtarët mund të parashikojnë suksesin e një projekti ICO.

Kështu investitorët gjithashtu do ta kenë më të lehtë ti vlerësojnë ICO-të pa pasur nevojë për një palë të tretë e cila mund ta verifikojë.

Megjithatë Wings është ende në zhvillim dhe shumë projekte mund të përzgjedhin të punojnë jashtë platformës, sidomos nëse kanë diçka për të fshehur.

Mbetet shumë e rëndësishme për komunitetin e blockchain në tërësi dhe investitorët në veçanti të identifikojnë projektet e vërteta nga ICO-të mashtruese.

Ndërsa nuk ka një metodë fikse për përcaktimin e projekteve të suksesshme, ICO-të jo autentike kanë disa tipare që i dallojnë nga ato të vërtetat.

Këto janë karakteristikat kryesore të ICO-ve mashtruese që investitorët duhet ti shmangin nëse nuk duan të humbasin para.

  1. Nuk kanë një axhendë të qartë

E thënë ndryshe nuk kanë objektiva realiste. Projektet start-up natyrisht janë ambicioze, por kur një projekt gjashtë mujor kërkon të ngrejë një financim prej mëse 1 milion dollarë në tre muaj, kjo lë shumë hapësira për dyshime.

Projektet e vërteta ICO kanë objektiva realiste dhe sqarojnë mënyrën jo vetëm sesi do gjejnë financimin por edhe si ta përdorin.

ICO-të mashtruese premtojnë më shumë se çmund të realizojnë. Nëse hasni një projekt ICO i cili thotë se sjell vetëm fitim, që do të eliminojë varfërinë në botë, të zëvendësojë internetin apo të sjellë 10,000% fitim, mendohuni dy herë.

  1. Nuk japin informacion për drejtuesit

Përpara se të mbështesni një projekt ICO, kërkoni të mësoni se kush fshihet pas saj. Në shumë raste mashtruesit përdorin foto të personave që nuk kanë fare lidhje me ICO-në.

Do të shokoheni kur të mësoni se emrat e themeluesve nuk ekzistojnë as në Linkedin, Facebook, Twitter apo Instagram. Ky është një indikator i qartë i një projekti mashtrues ICO.

Një tjetër detaj me rëndësi është kredibiliteti i themeluesve. Së pari duhet të kërkoni informacion për profilet dhe arritjet e tyre. Forumet online si Bitcoin Talk dhe Reddit japin informacione të besueshme.

Gjeni personat që kanë komunikim me ta të cilët rekomandojnë shërbimet e tyre.

  1. Raporte boshe

Raportet teknike janë pasqyra e një projekti ICO. Jo vetëm që detajon apektet teknike por edhe problemet që kërkon të zgjidhë dhe sesi platforma funksionon specifikisht.

Zakonisht dokumentet e tyre përmbajnë tabela, grafikë, përllogaritje, simulime e shumë të tjera.

Raportet e ICO-ve mashtruese thjesht përmbajnë fjalë të bukura, pretendime boshe dhe premtime të parealizueshme. Nëse një raport i një ICO-je nuk përmban detaje teknike por ofron vetëm përshkrime të bukura, është momenti që të distancoheni prej tij.

  1. Dorëzanë të falsifikuar

Përdorimi i dorëzanëve në një projekt blockchain sjell besim tek njerëzit e përfshirë me shpresën se fondet e tyre janë të sigurta deri në finalizimin e projektit sipas pritshmërive të tyre.

Sjell besim mes shitësit dhe blerësit ku blerësi dërgon paratë vetëm pasi ka marrë produktin. Megjithatë disa shërbime dorëzani janë të falsifikuara.

Duhet të siguroheni se ICO-ja juaj e preferuar ka një dorëzanë të besueshëm. Është me rëndësi të verifikohet mënyra e kalimit të fondeve. ICO-të mashtruese kërkojnë lirimin e fondeve gjatë fazës së zhvillimit ndërsa ata të vërtetat vetëm pas finalizimit dhe implementimit të projektit.

  1. Ekipi pas projektit ICO

Ekipi pas një projekti ICO punon në bashkëpunim me themeluesit për të arritur objektivat e tij. Pjesë e tij janë CEO, CTO, CFO, Menaxheri i Projektit dhe drejtues të tjerë.

Gjithnjë sigurohuni se keni verifikuar ekipin pas projektit dhe cilave fusha u përkasin. Tregohuni të kujdesshëm sepse ata mund të përdorin foto të njerëzve dhe personaliteteve të famshëm.

Projektet e besueshme kanë të paktën një person i cili është i njohur për komunitetin e kriptomonedhave.

Eksploroni profilet në rrjetet sociale

Për të krijuar një përshtypje rreth ekipit të një ICO-je eksploroni në rrjetet sociale dhe forumet. Kontrolloni kur llogaritë janë hapur dhe nëse profilet janë reale.

Disa platforma ofrojnë informacione të dobishme për të verifikuar dhe konfirmuar indentitetin e anëtarëve të një ICO-je. Një rast i mirë është Bitcoin Talk i cili ka një faqe besimin dhe veçori të tjera verifikimi.

Së fundi

ICO-të mashtruse janë kërcënimi më i madh për përdoruesit e projekteve bazuar në blockchain. Ndërsa industria zhvillohet, ashtu edhe mjetet e duhura për të adresuar kërcënimin në fjalë.

Aktualisht të qëndruarit i vëmendshëm është arma më e rëndësishme për investitorët që nuk duan të humbasin para. /PCWorld Albanian