5 gjëra që liderët mund t’i bëjnë për ta promovuar transparencën në punë

E publikuar: 27/07/2020 09:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Transparenca në vendin e punës është një prej faktorëve që çon drejt suksesit të një kompanie. Transparenca në punë krijon një mjedis pozitiv, ku punëtorët janë të hapur, të sigurtë dhe kanë besim tek njeri tjetri.

Për ta promovuar transparencën në vendin e punës, liderët e mirë bëjnë 5 gjëra të cilat ju sjellim në vijim të këtij artikulli.

1. E bëjnë transparencën pjesë të politikave të kompanisë

Për të qenë transparent, hapi i parë që një lider i mirë duhet të ndërmarrë është të bëjë transparencën pjesë të politikave të kompanisë. Një hap i tillë tregon se sa i vlerëson dhe kujdeset një udhëheqës për punëtorët e tij.

Nëse nuk mund ta zbatoni transparencën në shkallë të gjerë brenda një ndërmarrje, mund të ndërmerrni hapa për ta zbatuar atë brenda ekipit tuaj. Konsideroni mbajtjen e ndonjë punëtorie ose takimi ku bashkë me ekipin mund të flisni se çka është transparenca, rëndësia e saj dhe se si duhet të aplikohet në punë.

2. Përballen me situata të vështira

Situatat e vështira janë të paevitueshme në vende të punës dhe liderët e mirë përballen me to. Pavarësisht situatave me të cilat duhet të përballeni, qoftë thashetheme, konflikte apo probleme tjera, transparenca është një formë e mirë për t’i shuar problemet e tilla. Një udhëheqës i mirë është i hapur me punëtorët, kësisoj punëtorët kanë vullnetin të ndajnë çdo pyetje apo shqetësim me të.

3. Japin qasje në informacione

Brenda organizatave apo kompanive të ndryshme shpeshherë ka shumë informacione që nuk janë të disponueshme për të gjithë punëtorët. Këto informacione në të shumtën e rasteve nuk bëhen publike për shkak të ndjeshmërisë së tyre apo edhe arsyeve tjera. Sidoqoftë, mund të ketë edhe shumë informacione të tjera të cilat realisht mund të ndahen me punëtorët por nuk ndahen.Në mënyrë që ju si udhëheqës të jeni transparent, duhet të keni parasysh që duhet të jepni më shumë informacione për punonjësit dhe t’ju siguroni qasje në to.

4. Mbajnë takime me punëtorët

Liderët e mirë konsiderojnë mbajtjen e takimeve me punëtorë, që ata të kenë mundësinë të parashtrojnë pyetje lidhur me çështje të ndryshme brenda kompanisë. Nëse jeni udhëheqës në një organizatë apo kompani më të madhe, këto lloj takimesh mund të jenë veçanërisht të rëndësishme pasi që punonjësit ndoshta e kanë nevojën të takohen dhe bisedojnë me ju.

5. Përfshijnë punëtorët në vendimmarrje

Përfshirjen e punëtorëve në vendimmarrje mund ta bëni në mënyra të ndryshme. Ju mund ta bëni këtë duke zhvilluar seminare apo seanca ku shprehen ide për të marrë vendime bashkërisht. Një qasje e tillë rreth vendimmarrjes jo vetëm që ju bën më transparent si udhëheqës, por gjithashtu mund t’ju ndihmojë të merrni vendime më të mira për organizatën/kompaninë tuaj./AkademiPune/