42 persona me oksigjeno-terapi në Klinikën Infektive, 4 në gjendje kritike

E publikuar: 21/06/2020 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 83 pacientë me koronavirus, prej tyre 42 janë me oksigjeno-terapi, ndërsa 4 të tjerë në gjendje të rëndë. Ndërsa sot ka vdekur edhe një person nga koronavirusi.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se në pritje të rezultateve janë edhe 11 persona.

“Në Klinikën Infektive momentalisht janë 94 pacientë të hospitalizuar, prej tyre janë 83 pacientë që janë COVID pozitiv, ndërsa 11 raste janë në pritje të rezultatit. Prej pacientëve të cilët janë COVID pozitivë të hospitalizuar 42 raste janë me oksigjeno-terapi, ndërsa 4 pacientë janë në mjekim intensiv të Klinikës Infektive në gjendje kritike”, ka thënë ajo.

Ajazaj-Berisha ka folur edhe për pacientin i cili ka vdekur sot.

Sot në orët e hershme të mëngjesit ka përfunduar me fatalitet, i cili ka qenë i pranuar për shkak të COVID pozitiv, i cili në orët e hershme të mëngjesit ka përfunduar me vdekje. Është fjala per një pacient 52-vjeçar nga Rahoveci”, ka deklaruar ajo.

Drejtoresha ka shtuar se aktualisht asnjë nga stafi mjekësor i kësaj klinike nuk ka rezultuar pozitiv me koronaviurs.

“Edhe për momentin ne jemi të furnizuar me masa mbrojtëse dhe mendoj që edhe në të ardhmen meqenëse jemi klinikë që merremi me këto raste, mendoj që edhe në të ardhmen do të jemi të furnizuar dhe nuk do të kemi probleme”, ka thënë Ajazaj-Berisha.

Ajo ka apeluar për respektim të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, si mbajtja e maskave dhe distancës sociale për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Deri më tash, në Kosovë janë regjistruar 2073 raste me koronavirus, prej tyre 1018 të shëruar dhe 36 të vdekur./GazetaSinjali/