Kurtit i konfirmohet edhe një votë nga boshnjakët për qeverinë e re

E publikuar: 01/12/2019 14:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i cili pritet së shpejti të bëhet kryeministër i Kosovës, ka njoftuar se është takuar me kandidaten për deputete nga radhët e komunitetit boshnjake Emilia Rexhepi.

Kurti thotë se Rexhepi ia ka konfirmuar votën e saj për të si kryeministër por edhe për qeverinë.

“Znj. Emilia Rexhepi do të jetë sërish deputete boshnjake në Kuvendin e Kosovës. Ajo e konfirmoi votën e saj për mua si kryeministër dhe për qeverinë tonë të re. Sërish u takuam dhe biseduam për sfidat e qeverisë sonë për zhvillim ekonomik, për reformë arsimore, sundim të ligjit, demokratizim dhe barazi sociale, që nuk përjashton askënd. Diskutuam edhe për forcimin e lidhjeve institucionale me Sanxhakun dhe Sarajevën”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë se ditë më parë, Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka siguruar votat për qeverinë e re dhe për të si kryeministër nga kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.