Një muaj paraburgim për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë

E publikuar: 09/10/2019 10:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I është caktuar një muaj paraburgim Salih Tahirit, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit“ dhe Sh.K, nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

“Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T,”, thuhet në komunikatë.

Me tu publikuar video-incizimi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit S.T dhe Sh.K.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e djeshme me datë 08 tetor ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej një (1) muaji.