Rriten çmimet për 2.6 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar

E publikuar: 10/08/2019 07:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve për muajin korrik të këtij viti tregon që krahasuar me korrikun e vitit të kaluar i publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka treguar se çmimet e konsumit janë rritur për 2.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan Koha Ditore.

“Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2019 me muajin korrik 2018 ishte 2.6 për qind”, thuhet në raportin që ASK-ja e ka publikuar të premten. Disa prej njohësve të çështjeve ekonomike këtë ngritje të çmimeve e kanë ndërlidhur me taksën prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit gjatë vitit të kaluar tek nëngrupet e COICOP-it (Klasifikimi i konsumit individual sipas qëllimit): buka dhe drithërat 14 për qind, mishi 4.7 për qind, perimet 1.2 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 1.7 për qind, kafja, çaji dhe kakao 5.8 për qind, pijet alkoolike 4 për qind, duhani 3.1 për qind, veshje 1.3 për qind, këpucë 2.3 për qind, mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit 2.9 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 1.3 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 1.6 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht 2.3 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1.5 për qind, blerja e automjeteve 1 për qind si dhe pushime të organizuara 7.5 për qind. Ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është 2.8 për qind.

Ngritja thuhet se është neutralizuar kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemët me 6.7 për qind, shërbimet për transport me 4.2 për qind, ku thuhet se ka pasur rënie kryesisht të çmimeve të biletave të transportit ajror. Ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0.2 për qind.

Ndërkohë që krahasuar me muajin qershor thuhet se në korrik të këtij viti, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0.1 për qind… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)