Mustafa: Vuçiqi është mjeshtër i propagandës, madje këtë ia ka pranuar edhe Shesheli

E publikuar: 24/07/2019 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ekspert i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ka thënë se deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me “brengosjen” e tij për drejtësinë në rastin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, në mesin e tyre edhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, duhet merret si “një thënie që i rri më së tepërmi rastit të Vuçiqit si një akter i rëndësishëm në anën e së keqes sidomos gjatë viteve ‘90 lidhur me konfliktet në Kroaci, Bosnje dhe sidomos në Kosovë”.

Mustafa thotë se Vuçiqi, “jo vetëm si një ministër propagande në Qeverinë e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më tepër si një nga autorët e një Projekti të ish-partisë së tij (partia radikale e Sheshelit) se si duhet zgjidhur çështjen e shqiptarëve dhe të Kosovës, ai është një nga akterët e spikatur që duhet të japin përgjegjësi”.

“Ky projekt (i publikuar dhe analizuar nga Xh. Shatri para do kohe) me idetë e tij të aparthejdit dhe aktet gjenocidale që frymëzon, nuk mbetet asgjë prapa elaborateve për shfarosjen e shqiptarëve përpara tij (Çubrilloviqi, Andriqi, etj). Bile është edhe më i errtë edhe më i sofistikuar. Vuçiqi është mjeshtër i propagandës, komunikimit dhe manipulimit me media e opinion, i dalluar për dinakëri. Bile këtë ia ka pranuar edhe Shesheli”, ka thënë Mustafa në një postim në profilin e tij në Facebook.

Sipas ish-deputetit Mustafa, Vuçiqi i paketon gjërat ashtu që të fsheh qëllimet e tij dhe është mjeshtër blofi.

“Ata që nuk ia njohin backgorundin e tij, mund të mashtrohen lehtë, siç mund të dalin të mashtruar të gjitha ata që llogarisin në ‘sinqeritetin’ e tij për të gjetur një ‘zgjidhje të drejtë finale për konfliktin me shqiptarët’ (thuaja asnjëherë nuk e thotë Kosovën). Kur e njohim atë dhe me kolegun e tij Daçiq, ky tandem edhe në qeverinë e luftës së Millosheviqit, shtrohet dhe pyetja se a thua është e rastit ajo që këta propagojnë si zgjidhje për Kosovën. Gjithsesi jo! Porse se pse ai mund te shet ‘fore’ e blofe, faji qëndron jo më pak tek institucionet e Kosovës”, deklaron Mustafa.

Sipas tij, qeveria e Serbisë është dashur të mbahet në mënyrë permanente nën presion të kërkesave të Kosovës, “të institucioneve tona, nga shërbimi diplomatik, mediat, shoqëria civile duke përfshirë edhe diasporën me protesta sistematike derisa të detyrohet që patjetër të përballet me krimet që ka bërë në Kosovë: vrasjen e civilëve, dhunimet, plaçkitjet e dëmet në pronën private e publike gjatë viteve ‘90 e gjatë luftës”.

Por, thotë Mustafa, institucionet tona, dhe përgjithësisht ne, u sollëm me shumë indolencë dhe Serbia dhe Qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga Vuçiqi, dalëngadalë, por në mënyrë sistematike

pushtoi terrenin e luftës propagandistike duke e ndërtuar portretin e viktimës për Serbinë.

Megjithatë, thotë ish-deputeti i LDK-së, “hovi i kësaj propagande u çrregullua sado pak, me dëshmitë e guximshme të Vasfije Krasniqit”.

“Ajo, nga zemra e plastë, bëri më shumë se institucionet që financohen me tatimet e taksat e qytetarëve që midis të tjerash të merren edhe me këto punë. E këto institucione që nga çlirimi këndej bënë shumë më pak edhe nga ajo që bënte në vitet ‘90 QIK-u (Qendra për Informim e Kosovës) nën udhëheqjen e Enver Malokut dhe bashkëpunëtorët e tij. Institucionet tona harruan të merren me këtë problem sepse liderët ishin të dopinguar me luftën për pushtet dhe luftën primitive politike partiake për pushtet. Po mbetet detyrë që Vuçiqi dhe Daçiqi, Qeveria e tyre dhe Serbia, me shokët e tyre, të përballen me drejtësinë për krimet e mëdha që kanë qenë të udhëhequra nga Qeveria e tyre, ku ata ishin ministra. Është humbur shumë kohë për këtë por me mirë edhe tani se sa të vonohemi. Pa këtë, edhe normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve është një mision pa shumë gjasa”, përfundoi ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa.

Kujtojmë se sot, Vuçiqi, kur u pyet në lidhje me pritjet nga Gjykata Speciale, tha: “Mos ëndërroni se dikush do të na sjellë drejtësinë, nuk e ka sjellë deri tash dhe nuk do ta sjellë as në të ardhmen”.