Veseli pas dorëheqjes së Haradinajt: Do të ndërmarrim hapa në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve

E publikuar: 19/07/2019 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se, me keqardhje ka mësuar nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të tij, si dhe për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai thotë se, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë, dhe se është i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish.

Ndërkaq duke folur për bashkëqeverisjen në koalicionin PAN, Veseli ka thënë se, koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së.

“Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”,tha ai.