Qytetarët s’duan të paguajnë për RTK-në përmes KEDS-it

E publikuar: 31/05/2019 21:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

55 deputetë të Kuvendit nga pozita dhe disa nga opozita, në seancën e së enjtes votuan për miratimit në lexim të parë të Projektligjit për transmetuesin publik.

Neni 33 i këtij projektligji i detyron qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.50 euro më shumë për RTK-në, nga të cilat, 50 cent për çdo faturë do t’i fitojë KEDS-i , raporton KTV.

Kundër kësaj janë qytetarët, të cilët paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Ata, këtë mënyrë të pagesës e quajnë hajni të pastër.

Kundër kësaj është edhe Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës, në këtë mënyrë, pushteti po mundohet t’i grabisë qytetarët për një transmetues që ka më shumë punëtorë sesa që është e nevojshme.

Kreshnik Ahmeti, anëtar i Kryesisë së VV-së, thotë se nga pagesat e qytetarëve, rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do t’i fitojë KEDS-i.

E, një gjë të tillë, kjo lëvizje thotë se nuk do ta lejojë.

Sipas Ahmetit, nëse deputetët e kalojnë edhe në lexim të dytë këtë projektligj, atëherë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Nëse projektligji hyn në fuqi, sipas opozitës, do ta thellojë edhe më shumë krizën në RTK.

Sipas procedurave, pas miratimit në lexim të parë, Projektligji do t’i kthehet komisionit përkatës i cili pastaj do ta dërgojë në Kuvend për miratim.