Lista “non-grata” e mbushur kryesisht me zyrtarë e ish-zyrtarë serbë

E publikuar: 31/05/2019 18:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhjetëra persona janë përfshirë në listën e të padëshiruarve, “non grata”, të cilët nuk mund të hyjnë, të vizitojnë apo të qëndrojnë në Kosovë. Institucionet e Kosovës konfirmojnë se kanë tashmë të hartuar një listë me emrat e personave dhe zyrtarëve, kryesisht nga Serbia, por edhe nga vendet tjera, të cilët janë të padëshiruar të hyjnë në Kosovë.

Së fundi, kësaj liste i është bashkuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe zyrtari i Kombeve të Bashkuara, punonjës në misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Mikhail Krasnoshchenkov nga Rusia, i cili ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës.

Lista me emrat e personave të padëshiruar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Kosovës, është e gjatë dhe përfshin kryesisht emra të zyrtarëve, politikanëve aktualë dhe ish-udhëheqësve të ushtrisë serbe.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i thanë Radios Evropa e Lirë, se lista përmban emrat e dhjetëra personave, që kryesisht janë nga Serbia, e të cilët nuk mund të futen në territorin e Republikës së Kosovës.

Liridon Llapashtica, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se lista përditësohet herë pas here, por kohët e fundit, siç nënvizoi ai, është rritur numri.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka një listë, e cila përditësohet në varësi nga zhvillimet dhe sjellja e Serbisë dhe zyrtarëve të saj. Në kuadër të listës, ka persona të cilët për shkak të së kaluarës kriminale, nuk mund të shkelin në territorin e Kosovës, thjesht janë subjekt i arrestimit në momentin që kapen në territorin tonë”.

“Lista me persona ‘non grata’ është instrument përmes të cilit Republika e Kosovës sigurohet që Serbia dhe zyrtarët e saj nuk mund të kalojnë pa masa sanksionuese për aq kohë sa nuk ndërgjegjësohen plotësisht për të kaluarën e tyre, si dhe për shpërfaqjen e mendësisë dhe sjelljes kriminale, ata do të mbahen përgjegjës nga institucionet e Kosovës”, tha Llapashtica.

Lista që Ministria e Jashtme e Kosovës ka me emrat e personave që nuk mund të hyjnë në Kosovës, fillon me emrin politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës, pasuar nga Lubisha Divkoviq, ish-gjeneral i Armatës serbe, pastaj ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë, deri te kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq e të tjerë.

/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/