Z-Mobile paralajmëron se do t’ia marrë me përmbaruesë 26 milionë euro Telekomit

E publikuar: 06/05/2019 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomit të Kosovës i ka mbetur vetëm një javë për të negociuar me “Z-Mobile” lidhur me afatin e pagesës së borxhit prej 25.9 milionë eurosh.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, “Z-Mobile” ka paralajmëruar të fillojë procedurat e përmbarimit, nga e cila Telekomi rrezikon falimentimin e shumë punëtorë do të mbesin pa punë, raporton KTV.

Borxhin “Z-Mobile” po e kërkon nga Telekomi mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

“Në këtë situatë, neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim, Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, ka thënë Z-Mobile.

Ndaj këtij paralajmërimi ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, ku sipas këtij subjekti politik më shumë se 3800 kosovarë mund të mbesin pa punë.

Deputeti Glauk Konjufca, ka thënë se shumë shpejt do të prezantojnë në Kuvend Ligjin për ndalimin e operatorëve virtualë mobilë në Kosovë.

Konjufca ka thënë se e mbështet sindikatën e PTK-së, e cila kërkon që të mos vazhdohet kontrata me kompaninë Z-Mobile.

Për situatën e krijuar në Telekom, kryeministri Ramush Haradinaj të hënën ka takuar drejtorin ekzekutiv të ndërmarrjes, Bedri Istrefi.

Haradinaj shkurt ka shkruar se kanë biseduar për gjendjen financiare të Telekomit, përfshirë kontratën me Z- Mobile dhe se Qeveria do të angazhohet për qëndrueshmërinë financiare të Telekomit të Kosovës.