Së shpejti grupi punues për rimëkëmbjen e drejtimit të elektroenergjetikës në UP

E publikuar: 29/03/2019 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, janë mbledhur në takim ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Enver Hamiti, Gazmend Luboteni kryetari i Bordit të Këshillit Shtetëror për Cilësi, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Ilir Shala dhe akterë tjerë relevant për të diskutuar të ardhmen e drejtimit energjetik në Universitetin e Prishtinës.

Me që në Kosovë gjatë viteve të ardhshme do investohen 3 miliardë euro në sektorin energjetik dhe po ky sektor do të jetë punëdhënësi më i madh, tregu do të ketë nevojë për punëtorë dhe kuadro të reja e në anën tjetër drejtimi i elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës, niveli i doktoraturës dhe master janë mbyllur, mirëpo rrezikohet edhe drejtimi bachelor. Lidhur me këtë ministri Lluka ka kërkuar që të gjenden zgjidhje për të mbajtur hapur këtë drejtim në UP.

Ministri Lluka gjatë fjalimit ka theksuar disa prej problemeve të cilat po shkaktojnë mbylljen e këtij drejtimi dhe ka propozuar ide se si të dilet nga kjo situatë.

“Prej arsyeve se pse rrezikon mbyllja e këtij drejtimi është pensionimi i profesorëve dhe një prej ideve më të shpejta për të mbajtur gjallë këtë drejtim është që të shikohen mundësitë e shtyrjes së moshës së pensionimit të profesorëve të elektroenergjetikës”, u shpreh ministri Lluka.

Nga ana e tij ministri Lluka, si mënyrë për të nxitur studentët të zgjedhin drejtimin e elektroenergjetikës ka potencuar  dhënien e bursave.

 “Meqë sektori i energjisë do të jetë punëdhënësi më i madh, neve na duhet që të nxisim studentët të studiojnë këtë drejtim dhe prej mënyrave të tjera të tejkalimit të situatës është edhe motivimi i studentëve përmes bursave të cilat Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të fillojë t’i shpërndajë”, tha ministri Lluka.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, falënderoi ministrin Lluka për iniciativën dhe propozoi idenë që të bëhet kombinimi i profesorëve në mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës.

“Është shumë mirë që po kërkohet zgjidhja e këtij problemi dhe e falënderoj ministrin Lluka për iniciativën. Ne kemi mbajtur disa takime me përfaqësues të Universitetit të Tiranës me të cilët kemi diskutuar që të bëjmë një kombinim të profesorëve të këtij universiteti dhe të profesorëve të UP-së, në mënyrë që të mbahet gjallë drejtimi i elektroenergjetikës dhe gjithashtu do të mundohemi të gjejmë zgjidhje”, u shpreh ministri Bytyqi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se UP nuk është organ politik bërës mirëpo është i gatshëm të zbatojë politikat të cilat ndërmerren në këtë drejtim.

“Një falënderim i veçantë për ministrin Valdrin Lluka për shprehjen e vullnetit që të zgjidhet ky problem”, tha ai.

Kurse dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Enver Hamiti, duke e mirëpritur këtë iniciativë, tha se si zgjidhje e këtij problemi mund të shihet edhe reduktimi i kritereve të pranimit të profesorëve.

“Ne kemi kuadro të cilët janë të aftë dhe të përgatitur për të qenë profesorë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, mirëpo për shkak të disa kritereve nuk mund të jenë pjesë e fakultetit. Unë, propozoj që të shihen mundësitë që të ulen disa prej kritereve të pranimit të profesorëve” u shpreh dekani Hamiti.

Në këtë takim prezent ishte edhe kryetari i Bordit të Këshillit Shtetëror për Cilësi pranë Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Gazmend Luboteni, i cili po ashtu dha përkrahjen e parezervuar në këtë drejtim.

Në fund është vendosur që të shihen mundësitë e krijimit të një grup punues me ekspertë të cilët do të dalin me propozime dhe plane konkrete të veprimit për zgjidhjen e këtij problemi. /Infosot/