Në mungesë të profesionalizmit, Komunat s’po mund të marrin fonde nga BE-ja

E publikuar: 15/03/2019 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Miliona euro kanë humbur komunat e Kosovës nga fonde të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe donatorëve tjerë, që lidhen me përmbushjen e obligimeve të agjendës evropiane, e të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Kjo për faktin se pothuajse secilës komunë i mungojnë kuadro profesionale që do të merreshin me përgatitjen e planeve dhe projekteve, për të aplikuar dhe më pas fituar fonde të tilla për investime në fusha të ndryshme, raporton KTV.

Me këtë nuk është arritur të zbatohet edhe rregullorja e Zyrës së Kryeministrit, në bazë të së cilës, çdo komunë do të duhej të kishte zyrë të veçantë për integrime evropiane.

Megjithëkëtë, Rozafë Ukimeraj, Sekretare në MAPL, thotë se nga 147 kritere për integrime evropiane, komunat kanë arritur t’i përmbushin rreth 70 përqind prej tyre.

Njëra ndër to është edhe komuna e Mitrovicës, por që, sipas zyrtarëve të saj për integrim evropian, asnjëherë nuk janë organizuar trajnime me ekspertë të kësaj çështjeje, që do t’u ndihmonin atyre për marrjen e fondeve nga BE-ja.

Lidhur me përmbushjen e kritereve të agjendës evropiane në nivelin lokal, hulumtim ka bërë edhe Instituti GAP.

Sipas gjetjeve të tyre, zyrtarët për integrime evropiane nuk përfillen fare nga kryetarë të komunave të ndryshme.

Gjetjet tjera, sipas GAP-it, gjithashtu tregojnë se në aspektin teorik ka përmbushje të kritereve, por sfidë për komunat do të jetë zbatimi i ligjeve në praktikë.