Për Fukuyaman, forcimi i të së djathtës në BE është lajm i keq për Ballkanin

E publikuar: 07/03/2019 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcimi i të së djathtës në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian, do të kishte pasoja shumë të rënda për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka thënë njëri prej ekspertëve dhe teoricientëve më të njohur të politikës, Francis Fukuyama.

“Një gjë e tillë nuk do të jetë e mirë, pasi që populistët do të duan që asgjë të mos ndryshojë, kështu që nuk do ta mbështesin zgjerimin e mëtejmë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Fukuyama për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, i pyetur se çfarë ndikimi do të kishte fuqizimi i të së djathtës në procesin e zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor.

“Forcimi i të së djathtës me siguri se do ta ngadalësojë procesin e zgjerimit”, ka thënë ai.

Fukuyama megjithatë ka shtuar se rezultati i zgjedhjeve të majit nuk do të nënkuptojë edhe fundin e rrëfimit për zgjerimin e BE-së.

Ai ka thënë se forcimi i të së djathtës për këtë arsye nuk do të jetë i mirë për Ballkanin Perëndimor, pasi që sipas tij, pikërisht perspektiva evropiane do të nxiste reformat në shtetet e rajonit.

“Me zvogëlimin e dëshirës për integrime evropiane, do të humbë edhe vullneti për procese reformuese”, ka thënë ai.