Koci: Rrustem Mustafa ka pranuar ftesë për intervistim në Hagë nga Specialja

E publikuar: 06/12/2018 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas publikimit të lajmit se Gjykata Speciale ka gati aktakuzën e parë për një ish-komandant dhe se po negociohet dorëzimi i tij në janar, ka reaguar Arianit Koci, avokat i ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.

Koci ka thënë se Mustafa ka pranuar ftesë që të intervistohet nga Specialja.

“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka thënë Koci, përcjell Koha.net. “Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Mustafa rreth kësaj çështjeje”, ka shtuar më tej Koci.

KTV-ja, raportoi se Prokuroria dhe Gjykata Speciale për Kosovën kanë vendosur të aktivizohen në fund të vitit 2018.

19:03
Ekskluzive: Specialja ka gati aktakuzën e parë për një ish-komandant, po negociohet dorëzimi në janar
Në fund të vitit 2018, Prokuroria dhe Gjykata Speciale për Kosovën kanë vendosur të aktivizohen.

Hetimi 7-vjeçar për krimet e pretenduara që dalin nga raporti i Dick Martyt dhe Këshillit të Evropës, pritet që fillimisht të finalizohet me së paku një aktakuzë të Prokurorisë së Specializuar, brenda muajit janar, ka mësuar KTV-ja.

Burime të afërta me procesin kanë treguar se Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka të gatshme aktakuzën e parë dhe ajo është ndaj një ish-komandanti zone të UÇK-së, emër i njohur për redaksinë.

“Hetuesit kanë qenë në Kosovë dhe kanë negociuar dorëzimin e mundshëm të të dyshuarit dhe ka gjasa që një marrëveshje të arrihet shumë shpejt për dorëzimin e tij vullnetar”, ka thënë ky burim për KTV-në.

Siç bën zakonisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka qenë e gatshme të flasë për rastin.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton dhe nuk do të komentojë spekulime rreth kohës së mundshme të akuzave, ose të japë informacione specifike për statusin e hetimeve. ZPS-ja është e angazhuar në hetimin e të gjitha pretendimeve të raportit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, i hartuar nga Senatori zviceran, Dick Marty, dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjitha pretendimet të adresohen dhe hetohen plotësisht”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

KTV-ja ka pyetur për një koment edhe Gjykatën Speciale, që është institucion i ndarë dhe ku Zyra e Prokurorit pritet ta dorëzojë aktakuzën, por ata nuk kanë qenë të gatshëm për një përgjigje të menjëhershme.

Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000.