GAP: Komunat e udhëhequra nga AAK-ja “hanë” 32% të e buxhetit të Infrastrukturës

E publikuar: 25/11/2018 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti GAP të dielën ka prezantuar analizën e projektbuxhetit për vitin 2019, në të cilën thuhet se ky buxhet paraqet në masë të madhe vazhdimësi e buxheteve të viteve te kaluara. Kjo pasi, sipas këtij instituti, ngjashëm me vitet e kaluara, gati gjysma e investimeve kapitale do të menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe shumica prej tyre do të investohen në infrastrukturë rrugore.

Sipas GAP-it, 82 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror janë vazhdimësi e projekteve nga viti i kaluar, raporton “Koha Ditore”.

Agron Demi nga ky institut ka thënë se investimet kapitale nga niveli qendror vazhdojnë të orientohen në baza partiake.

Sipas tij, nga rreth 62.4 milionë euro që parashikohen të investohen nga Ministria e Infrastrukturës, shuma më e madhe apo rreth 32 për qind do të investohen në komunat e menaxhuara nga AAK (në shtatë komuna). Në këto komuna, sipas Demit, jetojnë rreth 18 për qind e popullsisë dhe zënë 19 për qind të sipërfaqes.

Ndërsa komunat e menaxhuara nga LDK do të investohet vetëm rreth 19 për qind nga totali i investimeve të MI-së. Kjo sipas Demit është një lloj “hakmarrje” ndaj LDK-së, pasi kjo parti sa ishte në pushtet investimet më të mëdha i ka bërë në komunat që ka udhëhequr me to.

GAP ka ngritur si shqetësim që RTK vazhdon të financohet nga buxheti i shtetit. Edhe pse afati ligjor për të gjetur një zgjidhje për financim të këtij institucioni ka kaluar në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një ligj për RTK-në, me anë të së cilit do të adresohej problemi i financimit. Edhe këtë vit RTK do të subvencionohet me 11.2 milionë euro.

Berat Thaqi nga GAP ka shprehur si shqetësim se si Qeveria ka ndarë buxhetin për veteranë. Sipas tij, me buxhetin e vitit 2019 parashihen që të shpenzohen 60.6 milionë euro apo rritje prej 1.8 milionë krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë sipas tij, vetëm deri në shtator të këtij viti Qeveria kishte shpenzuar buxhetin për veteranë dhe është detyruar që të ndajë fonde shtesë prej rreth 11.2 milionë euro gjatë muajit tetor dhe nëntor.

“Duke marrë parasysh këtë, në rast se nuk ulet numri i veteranëve gjatë vitit 2019, atëherë buxheti i ndarë do të jetë i pamjaftueshëm”, ka theksuar Thaqi.