Kërcënimet e Qeverisë nuk frikësojnë KEDS-in, edhe sot pati ndërprerje të rrymës

E publikuar: 24/11/2018 19:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë vazhduar edhe të shtunën.

Erolld Belegu, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, në Interaktiv të KTV-së të premten deklaroi se nëse një gjë e tillë ndodh sërish, këtë ndërmarrje e presin dënime, raporton KTV.

Sipas Belegut, ndërprerjet janë një lloj sabotazhi, derisa bëri të ditur se kanë njoftuar Policinë e prokurorinë.

Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në rrjetin social Facebook, shkroi se nga e premtja, nuk do të ketë ndërprerje të paplanifikuara të energjisë elektrike.

Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë, sipas postimit të Ministrit Lluka, ka urdhëruar KEDS-in që të ndërpresë reduktimet e energjisë, në të kundërtën, e presin masat e parapara me ligj.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i ka thënë KTV-së se nuk ka pasur asnjë reduktim gjatë së shtunës, dhe kjo sipas tij, nuk ka ndodhur për shkak të kërcënimeve nga qeveria.

Ngritja e temperaturave, sipas Buzhalës, ka sjellë edhe rënien e konsumit, si edhe është siguruar energji edhe nga rajoni.

Por, ndërprerje të energjisë, ka pasur nëpër disa komuna të Kosovës, e një gjë të tillë ia kanë bërë të ditur qytetarët ministrit Lluka si dhe janë ankuar në portalin Koha.net

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka thënë se KEDS-i ka për obligim furnizimin e rregullt me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh se si do të jenë temperaturat.

ZRRE-ja do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe në raste se konfirmohet ndonjë shkelje, atëherë do të aplikohen dënimet sipas ligjit në fuqi.