Ish-lehtësuesi i dialogut: Me korrigjimin e kufijve të pajtohen dy popujt

E publikuar: 28/10/2018 12:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën kur temë kryesore është “korrigjimi i kufijve” Kosovë-Serbi, ish-ndërmjetësuesi i dialogut teknik në mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, thotë që vëmendje e madhe duhet t’i kushtohet edhe implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash në mes të dy vendeve.
Ndërsa, për të parën thotë se duhet pasur kujdes të posaçëm, duke rekomanduar konsulta me vendet fqinje për shkak të evitimit të lëkundjeve të mundshme të stabilitetit sigurisë në rajon.

Cooper, në një intervistë për KosovaPress, flet po ashtu edhe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, ku thotë se nuk dëshiron të spekulojë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Nuk jam i sigurt nëse ka diçka të tillë, si një marrëveshje përfundimtare. Unë gjithashtu nuk jam i sigurt për ndonjë kohë, apo se do te ndodhë së shpejti. Nëse marrëveshja është një marrëveshje e vërtetë që do të mbetet dhe do të jetë një bazë e qëndrueshme për paqen, atëherë unë mendoj se nuk janë vetëm udhëheqësit që duhet të bien dakord, unë mendoj se është popullata në tërësi qe duhet të pajtohen, dhe cilat janë mundësitë për këtë, është shumë e vështirë për mua të vlerësoj, sepse unë nuk do të jetoj as në Serbi dhe as në Kosovë”, thotë Cooper.

Sa i përket idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh”, diplomati britanik thotë se kufijtë nuk mund të ndryshohen vazhdimisht, ndërsa shton se nëse ekziston një marrëveshje e tillë, duhet konsultuar të gjitha vendet e rajonit, pasi që Ballkani, sipas tij, është një vend i vogël.

“Unë mendoj se çfarë i gjithë rajoni dëshiron është stabiliteti dhe një lloj qartësie për të ardhmen. Nuk mund të ndryshohen vazhdimisht kufijtë, njerëzit duhet të dinë se në cilat shtete kanë lindur, cilit vend i përkasin, kështu që është shumë e rëndësishme që nëse ekziston një marrëveshje për rregullimin e kufirit, të gjithë ta kuptojnë atë dhe shumica të jetë në favor të saj dhe të gjithë të dinë se do të qëndrojë. A do të ndikojë kjo në vendet e tjera në rajon? Sipas pikëpamjes sime nuk ka arsye përse duhet, shumë vende kanë probleme, por unë mendoj se ato janë të ndryshme. Nisem me bindjen se dy shtete që kanë qenë në konflikt me njëri-tjetrin, që flasin seriozisht për zgjidhjen e problemeve është një gjë e mirë, arritja e një marrëveshjeje reale për to është edhe më e mirë, por mendoj se ata gjithashtu duhet të jenë në konsultim me fqinjët sepse rajoni është i vogël”, deklaron Cooper.

E para se vendet perëndimore të vendosin nëse do të mbështesin këtë ide, ai thotë, se së pari duhet të bëhen publike të gjitha detajet e përmbajtjes të saj.

“Për momentin, ajo për çka po flasim është një ide, ne nuk e dimë se çfarë është ideja. Unë nuk mendoj se ju mund t’i kërkoni qeverive ta mbështesin atë nëse nuk është një propozim më konkret dhe është vetëm mundësia për ta bërë këtë. Unë mendoj se të gjithë duhet të dinë detajet. Nuk është vetëm çështja se ku, është çështja e konsultimit me popullatën lokale, ka të bëjë me kushtet e respektimit të së drejtës dhe detyrave të pakicave…”, tha diplomati britanik.

Ish-ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, tani anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Cooper, thotë po ashtu se të dyja vendet duhet të angazhohen në respektimin e të drejtës të pakicave.

Njëherësh, ai flet edhe për atë nëse Serbia është vonuar që ta njohë Kosovën.

“Çështja është me të vërtetë për shtetet anëtare të BE-së dhe secili prej tyre. Ka pesë që nuk e njohin Kosovën për momentin, të gjitha duket se kanë arsye të ndryshme. Unë mendoj se njohja zyrtare nga Serbia për Kosovën është shumë më e rëndësishme se sa Spanja ose Qipro ta njoh Kosovën. Serbia të njohë Kosovën, kjo është themelore, sepse në këtë moment Kosova në kushtetutën serbe figuron si pjesë e Serbisë. Nëse Serbia e njeh atë, atëherë unë nuk e kuptoj pse të tjerët duhet të jenë më katolikë sesa Papa”, shprehet ish-ndërmjetësuesi britanik.

Ai paralajmëron edhe për pasojat që mund të ketë mosimplementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash Kosovë-Serbi.

Madje, sipas tij, më mirë është të mos ketë marrëveshje fare, se sa të ketë një marrëveshje që nuk është zbatuar.

Diplomati britanik, i cili mbikëqyri negociatat teknike midis dy palëve që nga fillimi i tyre në vitin 2011, tregon po ashtu se çfarë do të ndryshonte nëse do të kishte edhe tash atë rol.

“Unë mendoj se pothuajse të gjitha marrëveshjet e arritura në pjesën e parë të dialogut, të ashtuquajturit dialog teknik, janë zbatuar pothuajse të gjitha tani, jo aq shpejt sa kam dashur por ndodhi, kështu që unë jam mirënjohës për këtë. Po ta bëja përsëri dhe të kishim më shumë kohë, mendoj se do të përpiqesha të insistoj që zbatimi të ndodhte hap pas hapi sepse marrëveshjet që nuk zbatohen janë të këqija për të dyja palët, është më mirë të mos ketë marrëveshje se të ketë një marrëveshje që nuk është zbatuar”, thotë ai.

I pyetur për ndalesën që shteti i Serbisë po u bënë shtetasve kosovarë kur udhëtojnë, Cooper thotë se kjo është një gjë tmerrësisht e dëmshme dhe mohim i së drejtës për lëvizje të lirë.

“Epo, nuk mendoj se është në përputhje me marrëveshjet që kemi arritur, por nuk i di detajet, mua më duket diçka fundamentalisht e keqe, ky është një rajon i vogël që njerëzit nuk mund të ndalohen që të udhëtojnë”, theksoi Cooper.
Ndryshe, Cooper, i cili mbikëqyri negociatat teknike midis dy palëve u shpreh se nevojitet angazhim në arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, derisa ka përsëritur rëndësinë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.