Lista e veteranëve, krimi i thjeshtë i përsosur i radhës

E publikuar: 17/08/2018 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Arben Idrizi

Kuptohet, fryrja e listave të veteranëve është vetëm një krim më shumë në listën e përgjithshme të krimeve të kryera që nga lufta nga klasa politike kosovare. Kush më shumë e kush më pak, i përfshirë në pothuajse të gjitha krimet
Largimi i Prokurorit Special, Elez Blakajt, nga posti i tij, me arsyetimin se është ndier i kërcënuar në punën e tij, u përcoll me habi, por edhe me ndonjë akuzë që kërkonte t’i zhvlerësonte qëndrimet e tij.

Cilido që të jetë motivi i vërtetë i dorëheqjes së tij, ai ka lënë pas vetes një dosje të tërë të hetimit që ai ka bërë përkitazi me çështjen namkeqe të njohur si fryrja e listave të veteranëve të luftës. Nga hetimi, i pa kundërshtuar nga askush si i tillë, të paktën deri më tani, ka dalë se fryja ka ndodhur dhe praktikisht është bërë nga dhe me bekimin e disa prej figurave më të njohura të UÇK-së si dhe të krerëve të tanishëm të shoqatave të dala nga lufta. E në të vërtetë, për fryrjen kanë qenë në dijeni edhe të gjitha personalitetet e tjera politike, në krye të shtetit. Përveç ndonjë akuze të rrallë nga ndonjë deputet, që për më tepër tërë atë e bënte në vrullin e ndonjë inati politik, askush nuk ka bërë asgjë që fryrja të mos realizohet.

Për ta kryer këtë krim, ata kanë injoruar të gjitha paralajmërimet e FMN-së. Së fundmi, për ta mundësuar pagesën e rrogave sipas listave të fryra të veteranëve është plaçkitur edhe ai fond i mjerë i mezi grumbulluar i sigurimeve shëndetësore, i cili, për këtë shkak, nuk do të mund të funksionalizohet edhe disa vite.

Së fundmi, për ta bërë gjoja më të besueshëm mashtrimin, zyrtarët e verifikimit të listave – ndër të cilët spikat emri i gjeneralit Agim Çeku – kanë shkuar deri aty sa e kanë sajuar një brigadë të tërë, të quajtur ‘Hasan Prishtina’.

Duke lexuar procesverbalet dhe dokumente të tjera, të hulumtuara nga Prokurori, vërehet fare qartë se në të vërtetë autorët e krimit as që e kanë problem mashtrimin e hapur. Shqetësimi i tyre i vetëm, fare i vockël, është se mbase mund të ketë ndonjë pyetje të pakëndshme në opinion, për rrjedhojë duhet t’i kenë filan përgjigjet e gatshme.

Në dukje është një skenar i thjeshtë banditësh të rrugës, të veshur me uniforma zyrtare. Mund të duket i padëmshëm dhe shpejt i zbërthyeshëm, por në të vërtetë është krimi i thjeshtë i përsosur i një bande në krye të shtetit. Mashtrimi nuk është bërë nga një grup i izoluar, por nga një grup i mbikëqyrur dhe raportues te një autoritet i lartë, nga i cili ka marrë bekimin për cilindo keqpërdorim në interes të përbashkët të bandës. Krimin e kanë bërë të mundshëm të gjithë ish komandantët dhe eprorët e tjerë të UÇK-së. Tre prej tyre janë zyrtarët kryesorë të shtetit sot: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

Meqë të gjithë e dinë, tingëllon bukur banale të thuhet se ai që është i përfshirë në një krim nuk do ta gjykonte kurrë veten për të tillë. Do të gjejnë, siç kanë gjetur deri më tani, marifete për ta heshtur të tërën.

Kuptohet, fryrja e listave të veteranëve është vetëm një krim më shumë në listën e përgjithshme të krimeve të kryera që nga lufta nga klasa politike kosovare. Kush më shumë e kush më pak, i përfshirë në pothuajse të gjitha krimet.